Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Projekti që nisi në “fushatë zgjedhore” është ndërprerë me t’u publikuar rezultatet

Rruga Prekasi - MATI 1

Rregullimi i rrugës “Prekazi” në Mati 1 në Prishtinë, ku është përfshirë edhe asfaltimi i saj, ka nis gjatë fushatës për zgjedhjet lokale dhe është planifikuar të kryhet për dy muaj. Banorët kanë treguar se punimet në rrugë janë ndërprerë me të përfunduar zgjedhjet

Elsa Musafa

Rruga “Prekazi” në lagjen Mati 1 në Prishtinë vazhdon të jetë e paasfaltuar, ndonëse sipas kontratës së nënshkruar mes Komunës së Prishtinës dhe Kompanisë “NNT ABC”, punimet në të duhej të përfundonin më së largu në janar të këtij viti. Dhe jo vetëm që është konsumuar afati i kontratës, por në këtë rrugë aktualisht nuk ka asnjë aktivitet punues. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Halil Matoshi, banor i kësaj zone ka treguar se punimet nisën gjatë fushatës zgjedhore në nivel lokal dhe u ndalën me të përfunduar ato. Sipas tij, ndërhyrjet në këtë rrugë kanë shkaktuar vështirësi për banorët dhe për bizneset. 

“Kjo u premtua gjatë fushatës para zgjedhjeve komunale. E kanë filluar, veç e kanë prish. Ka qenë e shtruar në kocka. Nuk kanë qenë ku me ditë sa të mira, po më mirë sesa që është tash. Si përfundoi fushata dhe shkuam në balotazh atëherë i dhanë zor edhe ma shumë... Mu anku s’jemi anku, këtu e kam biznesin dhe po më pengon shumë”, tha Matoshi.

Për fillimin e punimeve kishte njoftuar përmes një postimi në facebook më datën 10 nëntor të vitit 2025  ish-drejtori i Infrastrukturës në Komunën e Prishtinës, Sokol Havolli.

Në këtë postim, Havolli, kishte njoftuar se rruga është në realizim e sipër dhe se ajo do të këtë standardet që meriton, përfshirë kanalizimin fekal dhe atmosferik, rrjetin e ujësjellësit, asfaltimin dhe trotuare anësore.

KOHA ka kontaktuar ish-drejtorin për të marrë përgjigje mbi arsyet e mosrealizimit të punimeve sipas afateve të parapara në kontratë.

“Ju thërras javën e ardhshme, se deri sa të emërohem nuk mundem me u përgjigje... Nuk jam drejtor, jam asamblist”, është shprehur Havolli. 

Ndërsa, kompania përgjegjëse për kryerjen e punimeve  “NNT ABC”, përgjegjësinë ia ka bartur komunës.

“Ata i kanë mbikëqyrësit, ata e dinë. Janë do kushte atmosferike, me shi, me borë...”, është shprehur pronari i kompanisë Mirsad Jetullahu.

Sipas kontratës së nënshkruar me datën 8 tetor të vitit 2025 për “Rregullimin e krahëve të rrugës Muharrem Fejza - Rr. Prekazi”, data e përfundimit të të gjitha punimeve do të jetë 60 ditë kalendarike nga data e nënshkrimit të Kontratës. Çmimi i punimeve, sipas kontratës është 394.7772.28 euro.