Një ditë pasi Komuna e Prishtinës është gjobitur me 5 mijë euro nga Inspektorati i Ministrisë së Mjedisit, drejtori i këtij institucioni ka thënë se masa është marrë për deponinë e mbeturinave në Matiçan. Pavarësisht gjobës, edhe të martën janë kryer aktivitete në këtë deponi, që sipas Ministrisë, nuk mund të operojë pa leje përkatëse
Gjoba prej 5 mijë eurosh që i është shqiptuar Komunës së Prishtinës të hënën, ka të bëjë me deponinë për mbeturina inerte dhe vëllimore në Matiçan.
Drejtori i Inspektoratit në Ministrinë e Mjedisit, Adem Berisha, ka thënë se Komuna nuk i ndoqi procedurat për hapjen e saj dhe se ka vazhduar aktivitetin pa iu bindur thirrjeve të Ministrisë.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Inspektorati paraprakisht ka nxjerrë vendim ose urdhëresë për ndërprerjen e aktivitetit, por sipas konstatimeve tona aktiviteti ka vazhduar edhe më tej. Pikërisht për këtë arsye është shqiptuar gjoba prej 5 mijë euro”, ka thënë Berisha
Ai ka theksuar se vendimi nuk është politik, por për të zbatuar ligjin njësoj për të gjithë.
Në rrugën “Qëndresa” të Matiçanit, në vendin ku është caktuar deponia e mbeturinave nga Komuna e Prishtinës, puna ka vazhduar edhe të martën.
Gjoba është shqiptuar vetëm dy ditë pas prezantimit të platformës “mbeturinat.com” nga drejtori i Shërbimeve Publike, Leutrim Retkoceri, i cili të dielën ka thënë se, për shkak të mbylljes së deponisë nga Inspektorati i Mjedisit, kjo reformë nuk ka qenë e mundur dhe se tashmë është gjetur lokacioni për pikën tranzitore dhe janë mbyllur procedurat për pajisje me leje mjedisore.
Por, në një prononcim për KOHËN, Retkoceri ka thënë se fjala ka qenë për një deponi tjetër.
KOHA i ka dërguar atij edhe pyetje të shkruara, por ka munguar përgjigjja.
E nënkryetari i Prishtinës, Florian Dushi, gjatë së martës, ka reaguar për gjobën e shqiptuar. Ai e ka quajtur të qëllimshme, me qëllimin për të krijuar bllokadë.
“Inspektorati i Trashëgimisë, ai i Mjedisit dhe çdo mekanizëm që mund të përdoret si pengesë, aktivizohet menjëherë kur bëhet fjalë për Kryeqytetin dhe projektet transformuese të tij. E më e rënda, vartësit e kësaj mendësie dalin publikisht dhe krenohen me bllokadat, gjobat e vështirësitë që ia krijojnë Prishtinës, sikur ndalja e zhvillimit, sabotimi i investimeve dhe pengimi i qytetit të ishte arritje politike e personale e tyre”, ka thënë Dushi.
Zyrtarë të Komunës së Prishtinës nuk u janë përgjigjur pyetjeve të KOHËS për veprimet që do t’i ndërmarrin, pas gjobës së shqiptuar.
Deponia në Matiçan ishte caktuar në mars të këtij viti për mbeturinat inerte dhe vëllimore nga Komuna e Prishtinës, por Ministria e Mjedisit në prill reagoi duke i dhënë komunës afat 15-ditor për t’u pajisur me lejet e nevojshme.