Komuna e Prishtinës ka afat prej 15 ditësh që të sigurojë lejen ujore për deponinë e re në Matiçan, ku grumbullohen mbeturinat inerte dhe vëllimore. Në rast të kundërt, Ministria e Mjedisit ka paralajmëruar masa. Nga komuna nuk kanë kthyer përgjigje e njohësit e çështjeve të mjedisit vlerësojnë se afati i dhënë është i shkurtër
Ministria e Mjedisit ka paralajmëruar masa ndaj Komunës së Prishtinës në rast se nuk pajiset me leje ujore për deponinë e mbeturinave në Matiçan brenda afatit prej 15 ditësh.
Në një përgjigje për KOHËN, nga kjo ministri kanë thënë se leja është obliguese para se të shfrytëzohet prona.
“Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor i ka dhënë afat prej 15 ditësh për t’u pajisur me pëlqim ujor, që është obligativ para se ta shfrytëzojë atë pronë. Në rast se Komuna e Prishtinës nuk zbaton vendimin nga ana e Inspektoratit Mjedisor, atëherë Inspektorati do të marrë masa konform bazës ligjore në fuqi, neni 49 të Ligjit për Inspektoratin e MMPH-së nr. 04/L-175”, ka bërë të ditur Fatri Zhitia, zyrtar i Ministrisë së Mjedisit.
Komuna e Prishtinës që nga e enjtja nuk ka kthyer përgjigje lidhur me këtë çështje.
E njohësi i çështjeve të mjedisit, Ilir Morina, vlerëson se Komuna e Prishtinës do të duhej t’i përcillte udhëzimet administrative, por, sipas tij, edhe Ministria e Mjedisit do të duhej të vepronte më herët.
Edhe
Puna në deponinë në Matiçan vazhdon, edhe pas gjobës që mori Komuna e Prishtinës
Po ashtu ai theksoi se mungon dialogu mes palëve dhe se 15 ditë nuk janë të mjaftueshme për t’i kryer të gjitha procedurat e nevojshme.
“Ligji i Kosovës parasheh një deponi të konstruksionit të demolimit dhe kriteret që duhet të plotësohen për ndërtimin e saj, përfshirë nivelin e ujërave nëntokësore. Për një deponi sanitare lejohet që ujërat nëntokësore të jenë vetëm gjysmë metri, por duhet të vendosen folie speciale dhe argjilë speciale si pjesë e kritereve. Mirëpo këto kritere nuk kërkohen në mënyrë të prerë për 15 ditë, në momentin kur aty janë hedhur mbi qindra kamionë me mbeturina. Këtu po e shoh që qasja është e gabuar dhe mungon dialogu mes Komunës dhe Ministrisë”, ka thënë Morina.
Edhe njohësi tjetër i çështjeve të mjedisit, Zeqir Veselaj, vlerëson se ky afat i vënë nga Ministria e Mjedisit nuk është i mjaftueshëm.
“Procedurat sipas UA për Procedurën e Lejes Ujore 03/2018 zgjasin: derisa autoritetet ta vlerësojnë studimin, të organizojnë diskutimin publik (5–30 ditë) dhe derisa të merret vendimi final (15 ditë pas vlerësimit të deklaratave të palëve). Nga kjo perspektivë nuk e shoh të realizueshme këtë procedurë brenda 15 ditëve, duke pasur parasysh edhe zvarritjet burokratike që nuk janë të rralla në vendimmarrjen e institucioneve”, është shprehur Veselaj.
Sipas Veselajt, për të përmirësuar situatën mjedisore, pushteti lokal dhe ai qendror nuk duhet të vendosin pengesa, por të ndihmojnë në respektimin e dispozitave ligjore.
Edhe
Pacolli: Prishtina bëri shkelje ligjore me menaxhimin e deponisë në Matiçan
Bazuar në afatin e Ministrisë për Komunën për të siguruar lejen ujore kanë mbetur edhe një javë kohë.
Deponia në Matiçan është hapur para pak javësh dhe aty grumbullohen mbeturinat inerte dhe ato vëllimore.