Punësimi partiak në sektorin publik në Kosovë, po e minon reformën në administratën publike, e cila është qenësore për avancimin e Kosovës në procesin integrues evropian, thonë përfaqësues të shoqërisë civile.
Ndikimi politik në procesin e punësimit të zyrtarëve të lartë në administratë, është ngritur si një nga vërejtjet edhe nga Komisioni Evropiane në paketën vjetore të zgjerimit, e cila përcakton përparimin që kanë bërë vendet që synojnë integrimin në Bashkimin Evropian.
Dardan Abazi, hulumtues në Institutin për Politika Zhvillimore, INDEP në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, thotë se politizimi ka prekur tërë administratën publike në Kosovë dhe gjithë reforma, sipas tij, është peng i atyre njerëzve.
Depolitizimi i administratës publike, shton Abazi, nuk ka të bëjë vetëm me përmbushje të një standardi, por edhe me krijimin e një administrate, e cila do të jetë efektive dhe funksionale gjatë kryerjes së shërbimeve për qytetarët.
“Sa më e politizuar të jetë administrata publike, aq më të dobëta do të jenë shërbimet dhe në fund të ditës, ne, si qytetarë, po i vuajmë pasojat, pasi që nuk po marrim shërbimet kualitative, për të cilat paguajmë. Politizimi ka prekur tërë administratën publike në Kosovë dhe gjithë reforma është peng i këtyre njerëzve, të cilët edhe nuk punojnë si duhet, por edhe e kanë ngarkuar administratën publike”, thotë Abazi.
Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim në Kosovë (UNDP) në vazhdimësi në raportet e publikuara ka theksuar se lidhjet familjare, ryshfeti dhe lidhjet partiake, janë faktorë që ndikojnë shumë për të siguruar një vend pune në sektorin publik në Kosovë.