Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kurti: Reforma në administratë publike parakusht për anëtarësim në BE

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka theksuar se reforma në administratën publike është thelbësore në programin e Qeverisë.

Sipas një komunikate për media të Qeverisë, kryeministri në konferencën vjetore të organizuar nga ambasada e Britanisë në Kosovës, në kuadër të projektit “Rekrutimi i pavarur, i përgjegjshëm, meritokratik dhe profesional në Kosovë”, ka theksuar se reformimi i administratës publike, është parakusht për hapat avancues të Kosovës drejtë anëtarësimit në Bashkimin Evropian (BE).

“Reforma në administratë publike është pjesë thelbësore e reformave të planifikuara në programin e Qeverisë sonë. Është besim e qëndrim i yni se një administratë publike besnike ndaj shtetit, e ndershme, e shkolluar dhe e përgatitur, me efikasitet më të lartë është parakusht për politika të përmbushura zhvillimore”, ka theksuar Kurti.

Sipas tij, Qeveria është e përkushtuar që reforma në administratë të jenë të bazuara mbi disa parime që respektohen gjerësisht nga vendet demokratike dhe të zhvilluara.

“Një administratë joefikase shkakton ngecje më pastaj në ofrimin e shërbimeve publike për nga cilësia, për nga sasia, shkakton gjithashtu edhe ngecje edhe në zhvillimin e proceseve të reformave në sektorët e tjerë”, ka shtuar Kurti.

Ai ka deklaruar se Qeveria ka ndërmarrë hapa konkretë për të adresuar sfidat dhe problemet me të cilat përballet administrata por edhe qytetarët kur kanë nevojë të kenë ndërveprim me të.

Edhe Kurti thotë se cilësia e administratës publike garanton anëtarësimin në BE Arbëri Kurti thotë se cilësia e administratës publike garanton anëtarësimin në BE

Kryeministri Kurti ka përmendur edhe dokumentet strategjike që trajtojnë këtë çështje, si plani për zhvillim kombëtar, bashkimi i tri strategjive për administratë publike në një të vetme dhe hartimi i saj për periudhën 2022-2027, hartimi i strategjisë për e-qeverisje e hartimi i strategjisë për siguri kibernetike janë ndër të tjera veprime esenciale të cilët tashmë i kemi ndërmarrë.

Ai theksoi se Ministria e Punëve të Brendshme ka rishikuar rrënjësisht Ligjin për zyrtarët publikë dhe ka hartuar nga fillimi ligjin për paga në sektorin publik, për t’iu përshtatur aktvendimeve të Gjykatës Kushtetuese.

Kurti ka theksuar Qeveria është e përkushtuar për të siguruar administratë bashkëkohore.