Analisti Shqiprim Pula ka vlerësuar se nuk do të ketë përparim të theksuar në procesin e dialogut Kosovë-Serbi. Kjo sipas tij, për shkak të përkëdheljes së Serbisë nga ndërkombëtarët.
“Dialogu do të vazhdojë por kam hezitime të mëdha që kjo qasje e Serbisë dhe kjo tolerancë e Brukselit dhe qendrave të tjera vendosëse karshi Serbisë e pamundëson arritjen e një përfundimi të dëshiruar”, ka thënë ai.
Pula ka thënë se gjatë gjithë procesit disavjeçar Serbisë i janë bërë lëshime nga ndërkombëtarët, ndërsa ka përmendur se asnjëherë nuk i është kërkuar që ta heqë Kosovën nga Kushtetuta e saj. Te mostrysnia e bashkësisë ndërkombëtare karshi Serbisë, ai e sheh problemin e madh të ngecjes në proces.
“Gjatë gjithë procesit të dialogimit kemi pasur momente që na kanë befasuar dhe më së miri kësaj periudhe dialogimi i përshtatet romani ‘Liza në botën e çudirave’. Kosova ka kaluar në një periudhë 13 vjet sikur në këtë roman sepse ndërkombëtarët vazhdimisht na kanë çuditur me lejimet që i janë bërë Serbisë. Thuhet të normalizohen marrëdhëniet Kosovë-Serbi, ndërkaq Serbisë asnjëherë nuk i është kërkuar e aq më pak t’i bëhet trysni që ta heqë Kosovën nga Kushtetuta e saj. Nuk mund të ketë normalizim derisa veprimet e Serbisë zyrtare kundër shtetit të Kosovës janë në përputhje me Kushtetutën e tyre. Këtu është thelbi i problemit që ndërkombëtarët nuk kanë insistuar që Serbia ta heqë Kosovën nga Kushtetuta, ta pranojë ekzistencën e shtetit të Kosovës dhe t’i heqë pretendimet territoriale”, ka theksuar ai në “60 Minuta” në KTV.
Pula është shprehur se njohja e ekzistencës së shtetit të Kosovës nga Serbia dhe ngritja e marrëdhënieve diplomatike do ta ndihmonte normalizimin. Por, siç ka përsëritur ai më tej, problemi është se “ndërkombëtarët nuk i bëjnë presion Serbisë”.
“Njohja e ekzistencës së shtetit dhe ngritja e marrëdhënieve diplomatike në nivel ambasadash do ta ndihmonte këtë normalizim marrëdhëniesh. Por, faktori evropian dhe amerikan ndër vite kanë besuar në një garniturë serbe të gabuar. Kjo garniturë tani është e njëjta me atë të Millosheviqit. Në momentin kur evropianët, amerikanët, besojnë në personat e gabuar kthehen në zhgënjim sepse janë të njëjtit ata që kanë kryer gjenocid në Kosovë. Janë të njëjtat figura sot, vetëm me kostume të tjera”, ka potencuar ai.
Edhe Letër e hapur lidhur me dialogun Kosovë–Serbi dhe nevojën për traktat paqejeE, për shkak të potencialit destabilizues që ka Serbia, Pula ka thënë se bashkësia ndërkombëtare nuk e ushtron trysninë.
“Serbia në rajon ka potenciale të mëdha për të shkaktuar kriza dhe konflikte dhe potencialin e Serbisë shtetet në rajon nuk e kanë. Duke pasur parasysh potencialin e saj, Serbia është përqafuar si e tillë”.