Partia Socialdemokrate (PSD) ka paditur Agjencinë për Informim dhe Privatësi (AIP) duke kërkuar anulimin e vendimit për gjobën prej 20 mijë eurosh, që kjo Agjenci ia ka shqiptuar javë më parë.
Kjo gjobë ishte shqiptuar për rastin ku kjo parti në oborrin e Qeverisë shpalosi peticionin e vitit 2015 kundër Asociacionit të komunave me shumicë serbe, me 205 mijë nënshkrime të qytetarëve.
Por sipas PSD-së kjo gjobë ka për qëllim pengimin e aktivitetit të saj politik.
“Vendimi për dënimin e PSD-së me 20,000€ ka vetëm një qëllim: pengimin e aktivitetit të saj politik. Baza ligjore mbi të cilën është shkruar kjo gjobë lëngon nga zbatimi i drejtë i dispozitave ligjore, përkatësisht i dispozitave përkatëse të Ligjit nr. 06/L-082 për Mbrojtjen e të Dhënave Personale”, thuhet në njoftimin e PSD-së për dorëzimin e padisë.
PSD-ja vendimin për gjobë e ka quajtur të pabazë dhe tendencioz dhe në padi ka kërkuar anulimin e tij.
“Padi për anulimin e Vendimit të Agjencisë për Informim dhe Privatësi (AIP), nr. 23/2023, i identifikuar sipas njësisë 04, me nr. të protokollit 204, dhe i nxjerrë me datën 05 prill 2023 - për shkak se nuk janë aplikuar fare ose nuk janë aplikuar drejt dispozitat ligjore dhe për shkak se në procedurë, që i ka paraprirë aktit, nuk është vepruar sipas rregullave të procedurës, nuk është vërtetuar drejt gjendja faktike, apo nëse nga faktet e vërtetuara është nxjerrë konkluzioni jo i drejtë në pikëpamje të gjendjes faktike”, thuhet në padi.