Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

PSD-ja në 23-vjetorin e çlirimit: Të protestohet kundër krijimit të normës që përdhos veteranin

Partia Socialdemokrate në 23-vjetorin e Çlirimit ka thënë se duhet kundërshti e protesta kundër krijimit të një norme që përdhos veteranin.

Përmes një komunikate për media, PSD-ja ka thënë se 12 qershori është shënjuesi i fundit i gjenocidit nga pushtimi i Serbisë. Sipas tyre, kjo është data kur liria u materializua nga ëndrra e luftëtarëve që ishin të gatshëm të sakrifikojnë jetën e tyre dhe e dëshmorëve që e dhanë atë pa hezitim.

Sipas PSD-së, liria mbi të gjitha është mundësi që mbahet në krahët e guximtarëve që shtrojnë rrugën e progresit shoqëror.

“Janë këta guximtarë që sot i përkujtojmë, e të cilët, për fatkeqësinë tonë, po sulmohen nga jashtë prej një gjykate të padrejtë, e nga brenda prej një partie që ka grumbulluar rreth vetes të gjitha rrymat oportuniste të kalkulimeve politike. Teksa kujtojmë rrugëtimin për liri dhe teksa jemi dëshmitarë të tjetërsimit të atij rrugëtimi, na duhet domosdoshmërisht mobilizimi shoqëror. Na duhet kundërshtia e protesta kundër krijimit të një norme që përdhos veteranin”, thuhet në komunikatën e PSD-së.