Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

PSD-ja e Vetëvendosje thellojnë krizën në udhëheqjen në Kamenicë

Këshilltarët komunalë të Partisë Socialdemokrate (PSD) nga e cila vjen kryetari i Kamenicës, Qëndron Kastrati, bashkë me ata të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) të Aleancës për Kosovën e Re (AKR) si dhe të Nismës Socialdemokrate, në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal që është mbajtur të premten nuk kanë arritur të shkarkojnë kryesuesin e Kuvendit Komunal, Bajram Mavriqin i cili është pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje (VV).

Siç raporton korrespodenti i Kohës Ditore, Feim Azemi, kjo ka ardhur pasi kryesuesi i Kuvendit Komunal, Bajram Mavriqi, ka vlerësuar se nuk janë përmbushur kushtet për shkarkim dhe ka marrë vendim për përfundimin e seancës, përcjell Koha.net. Ai ka akuzuar kryetarin e komunës, Qëndron Kastratin i cili është nga radhët e PSD-së se është prapa iniciativës për shkarkimin, e të cilin e ka akuzuar edhe se ka tradhtuar besimin e qytetarëve në Kamenicë, ngase kishte fituar në zgjedhje nën ombrellën e VV-së para se të braktiste atë. Thotë se pushteti komunal ishte në dijeni se VV-ja do të braktiste koalicionin duke ofruar dorëheqje nga pozita e kryesuesit të Kuvendit duke i nxitur kështu veprimet e PSD-së.

“Qëllimisht kanë iniciuar procedurën e shkarkimit sepse kanë qenë në dijeni se do të ofrojë dorëheqje. Sepse këtë propozim e kam paraqitur edhe në subjektin që e përfaqësoj dhe ata kanë qenë duke shqyrtuar sepse kryetari Qëndron Kastrati nuk është duke punuar brenda projektit me të cilin edhe kemi fituar zgjedhjet. Dhe ne nuk kemi mundësi të vazhdojmë tutje ngase po shohim se nuk është duke u respektuar interesi i qytetarëve. Edhe sa i përket drejtorëve komunalë të cilët janë nga radhët e tona do të japin dorëheqje pasi të largohemi nga qeverisja”, ka thënë ai.

Në anën tjetër PSD-ja në Kamenicë shprehet e vendosur për shkarkimin e kryesuesit të Kuvendit Komunal. Mirëpo ky subjekt politik do të përfaqësohet në Kuvendin Komunal me vetëm 1 këshilltar komunal. Nol Nushi, shef i kabinetit të kryetarit të komunës Qëndron Kastrati deklaron se në Kuvendin Komunal do të votohen projektet të cilat do të jenë në të mirën e qytetarëve. Ai thotë se është caktuar vazhdimi i mbledhjes së Kuvendit Komunal.

“Ne qeverisjen do të vazhdojmë në bazë të programit dhe numrat janë të rëndësishëm nëse këshilltarët komunalë votojnë në bazë të interesit të qytetarëve. Mbledhja nuk ka përfunduar dhe do të vazhdojë në ora 18:00 dhe kryesuesi e ka mbyllur seancën e njëanshëm. I takon kryesuesit më të vjetër ta vazhdojë seancën. Dhe besoj se do të kalojnë në proces të votimit”, ka thënë Nushi.

Kurse Florim Kryeziu, këshilltar komunal nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës ka deklaruar se mbledhja e seancës së jashtëzakonshme do të vazhdojë dhe se këtë seancë do të udhëheqë si këshilltari komunal më i vjetër.

Edhe VV: Veseli e Rakiqi ia kthyen borxhin PSD-së në Kamenicë Arbëri VV: Veseli e Rakiqi ia kthyen borxhin PSD-së në Kamenicë

“Zyra ligjore e ka dhënë mendimin se ka të drejtë që delegati më i vjetër me udhëheq në mungesë të kryesuesit, dhe në orën 18:00 e kemi thirr vazhdimin e seancës. Ne nuk jemi në koalicion me pushtetin komunal dhe askush nuk na ka ofruar asgjë. Mirëpo po e bëjmë sepse duam t’i zhbllokojmë institucionet”, ka thënë Kryeziu.

Kurse shoqëria civile në komunën e Kamenicës vlerëson se përplasjet në mes VV-së dhe PSD-së do të shkaktojnë vështirësi në funksionimin e Kuvendit. Amir Jakupi, deklaron se kryetari Qëndron Kastrati do të ketë vështirësi gjatë qeverisjes komunale ngase ka fuqi të vogël në Kuvendin Komunal.

”Përplasjet mes kryetarit të komunës, Qëndron Kastrati dhe kryesuesit të Kuvendit, Bajram Mavriqi mund të sjellin bllokadë në Kuvendin Komunal. Krisja e raporteve mes tyre nuk i ka fillet prej largimit të Kastratit nga Vetëvendosje, por janë më të hershme se fushata elektorale e zgjedhjeve të kaluara. Seanca e sotme e Kuvendit Komunal më shumë i ngjau një cirku sesa një mbledhjeje të jashtëzakonshme ku po kërkohej votëbesimi i kryesuesit. Vetëvendosje e shfrytëzoi për ta sulmuar kryetarin e komunës, ndërsa asnjë nga asamblistët nënshkrues nuk e arsyetoi thirrjen. Realisht, nga rrethanat e krijuara, unë e shoh të pamundur një bashkëqeverisje të Qëndron Kastrati me Vetëvendosjen që udhëhiqet nga Bajram Mavriqi. Varet edhe çfarë reagimi do të ketë nga qendra, por unë besoj që Vetëvendosje do të tërhiqet nga koalicioni dhe Mavriqi do të japë dorëheqje nga pozita e kryesuesit. Kryetari Kastrati do të ketë vështirësi të qeverisë e të çojë procese përpara pa e siguruar shumicën në Kuvend”, ka thënë Jakupi.