Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Rama kërkon të votohet kundër “fantazmave”, Basha kundër mjerimit

Kryeministri Edi Rama nga Vlora ka bërë thirrje që më 25 prill Sali Berisha, Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi t'i mbeten historisë përgjithmonë. Ndërsa kundërshtari i tij, Lulzim Basha, ka thënë se ikja nga pushteti e zhvatësve të pasurisë kombëtare është çështje orësh. Fushata zgjedhore që ka përfunduar të premten u shoqërua me retorikë të ashpër. Për pasojë shënoi një të vrarë dhe katër të plagosur me armë në Elbasan dhe një të plagosur në Kavajë.

Partitë kryesore që marrin pjesë në zgjedhjet e 25 prillit në Shqipëri kanë mbyllur takimet elektorale për t’ua lënë vendin heshtjes zgjedhore dhe më pas zgjedhjeve të 25 prillit. Kjo fushatë, ndryshe nga herët e tjera u mbajt në kushtet e pandemisë COVID-19 dhe shoqërua me një retorikë të ashpër, në mes kundërshtarëve politikë, ku protagonist kësaj radhe ka qenë kreu i shtetit, Ilir Meta. Si pasojë e kësaj retorike fushata shënoi një të vrarë dhe katër të plagosur me armë në Elbasan dhe një të plagosur në Kavajë.

Edhe pse Komiteti Teknik i Ekspertëve e ka ndaluar me ligj grumbullimin e më shumë sesa 10 vetave edhe në ambiente të hapura, Lulzim Basha (PD) dhe Edi Rama (PS), e kanë sfiduar haptazi gjatë këtij muaji këtë vendim duke kulmuar në ditën e fundit të fushatës.

Partia Socialiste ka zgjedhur Vlorën, aty ku kandidon për të tretën herë si deputet vetë lideri i saj, Edi Rama. E aty ku kandidon për deputet, në Tiranë, e ka mbajtur mitingun përmbyllës edhe kreu i opozitës Lulzim Basha.

Rama thotë se Berisha, Meta e Kryemadhi duhet t’i mbeten historisë

Me të birin Zahon përdore dhe bashkëshorten Linda, Edi Rama e ka hapur mitingun për përmbylljen e fushatës elektorale në Vlorë me një 18-vjeçare, e cila voton për herë të parë, e të cilës 8 vjet më parë i premtoi ndryshimin rrënjësor të Vlorës. Ndërsa u transmetua një video e shkurtër e fushatës së Ramës në Vlorë në vitin 2013, Rama tha se e kishte mbajtur premtimin që ia kishte bërë Kiarës kur ishte vetëm 10 vjeçe.

Edhe Qytetarët presin ndryshime pozitive, politikanët bënë thirrje të shfrytëzohet e drejta Arbëri Qytetarët presin ndryshime pozitive, politikanët bënë thirrje të shfrytëzohet e drejta

“Ajo që i thashë kur ishte e vogël sot është përpara syve të Kiarës, një realitet i transformuar”, tha Rama. Ndërsa vetë 18-vjeçarja pranoi se ajo që është bërë në Vlorë gjatë 8 viteve të qeverisjes nga PS “nuk ka vend për shumë fjalë”.

Kryeministri Rama nga Vlora ka bërë thirrje që më 25 prill Sali Berisha, Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi t'i mbeten historisë përgjithmonë, ndërkohë që ka anatemuar kreun e listës së PD-së për Vlorën, Bujar Leskaj.

“Basha doli si një njeri evropianist i kollarisur me gojën me sheqer që e ka mbushur gjithë këto javë, u desh vetëm një ngjarje për t’u parë edhe një herë që janë po ata, është po ajo fantazmë, janë po ato forca që i thërrasin pjesës më të keqe të shqiptarëve. I thërrasin hilesë, kollajllëkut lodhjes dhe pakënaqësisë. Me Lulzimin as lekë nuk ka, ka vetëm një kërkesë ‘aman më jepni votën’ dhe pastaj takimin ua lë te tramvaji i Tiranës. Po ku lidhet Mitat Frashëri me Leskon me kanotiere dhe barkun jashtë qe rri lokaleve, atij do ja lini Vlorën, Labërinë, Sarandën? Po fëmijët, shkollat do ja lini Leskos? Ça do ju mësojë Lesko? Vjedhjen, alkoolin, pabesinë? Të më thuash që do shkoj me Leskon... Hajdeni me mua se jam unë më i pakënaqur se po të ish ai kënaqur nuk vija këtu. Ne do ja lemë Xhelal Mziut e Leskos Shqipërinë? A jeni në vete? Shqipërinë Monikës? A jeni në vete. Më 25 prill keni vetëm një detyrë, merruni me Ilir Metën, tregojini që herë tjetër kur të flasë për Vlorën të numërojë deri në 12”, ka thënë Rama para mbështetësve të tij.

Fantazmat e së shkuarës, siç e quajti ai edhe Sali Berishën, sipas tij, sollën vetëm ndasi dhe konflikte dhe nuk duhet të rikthehen më.

Ai tha se edhe Basha është si ata, por i ardhur në një tjetër formë.

"Nga këtu dua t'u drejtohem të gjithë shqiptarëve se askush nuk duhet ta harrojë se ne nuk po vijmë nga pushimet dhe nga një periudhë normale, por nga një luftë”.

Basha: Ndryshimi është çështje orësh

Edhe Rama synon mandatin e katërt, Berisha rikthimin Arbëri Rama synon mandatin e katërt, Berisha rikthimin

Ndërsa kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka mbyllur fushatën në qytetin e Tiranës mes mijëra qytetarëve të mbledhur në sheshin “Nënë Tereza”. Në fjalën e tij përshëndetëse, Basha tha se dita e diel është dita e ndryshimit dhe fitores më të bukur, sepse kjo është fitorja e Shqipërisë pas 8 vjetësh të vështira. Kreu i opozitës gjithashtu tha se nuk është më koha për të qarë, sepse të dielën të gjithë bashkë me votën për numrin 9 do të sjellim fitoren më të madhe në historinë e Shqipërisë.

"Ky është fundi i një rrugëtimi që e nisëm këtu, nga Tropoja në Sarandë, nga Korça në Durrës, cep më cep, të një Shqipërie të mbushur me shpresë, të një Shqipërie që po mbushet me gëzimin e fitores që po vjen", tha Basha.

Sipas liderit të opozitës, ndryshimi tashmë është çështje orësh.

“Ndryshimi po vjen për fitoren e çdo familjeje shqiptare, për fitoren e nënave shqiptare, lotët e të cilave nuk kanë pasur të tharë këta 8 vjet të vështirë me fëmijët e larguar në emigracion, me burrat e shpunësuar, me shtëpitë e prishura, pasiguri për të nesërmen, pa rend, pa drejtësi por nënat shqiptare kudo ku i kam takuar. Dhe për bashkëshortët e tyre, baballarët tanë të stërmunduar në 8 vite të një dimri pa fund, pa mundësi, pa një derë për të trokitur, pa një fjalë të ngrohtë, pa një dorë pas shpine, por vetëm me vuajtje dhe mjerime, vetëm me çmime që rriteshin, vetëm me borxhe ku zhyteshin”, tha Basha.

Kryeopozitari Basha ka bërë thirrje që duke votuar PD-në do të bëjmë të mundur arsimimin e të rinjve këtu, në Shqipëri, si dhe investime të huaja. Sipas Bashës, dimri tetëvjeçar ka dhe dy ditë për ta mbyllur, duke shprehur besimin se Tirana do t’i prijë ndryshimit.

Me këtë rast kreu i PD-së, Basha, ka hedhur akuza ndaj Qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama si zhvatës i pasurisë kombëtare dhe parave të shqiptarëve dhe pengues i integrimit të vendit.

Edhe Rama sot “bashkëbisedon” me demokratët mes konfliktit Basha - Berisha Arbëri Rama sot “bashkëbisedon” me demokratët mes konfliktit Basha - Berisha

55 kallëzime për vepra penale në procesin parazgjedhor

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) bëri me dije të premten se ka vlerësuar me përparësi të gjitha kallëzimet e paraqitura nga subjektet dhe që lidhen me vepra penale në zgjedhje. Në total deri në janë paraqitur 91 materiale, ku 55 u përkasin partive politike. Më konkretisht janë 50 kallëzime nga PD, 3 nga LSI, 1 nga PS dhe 1 nga FRD. Ndërkaq 18 raste janë referuar nga Institucioni i Presidentit të Republikës.