Nga sulmet e protestuesve të dhunshëm serbë, të grumbulluar para objektit të Komunës së Zveçanit kanë pësuar lëndime 25 ushtarë të KFOR-it. Komandanti i misionit të KFOR-it, gjenerali Angelo Michele Ristuccia ka thënë se sulmet e paprovokuara janë të papranueshme, e ato janë dënuar edhe nga përfaqësues të ambasadave dhe institucioneve të tjera ndërkombëtare dhe të vendit. Nga brutaliteti i protestuesve më së shumti kanë pësuar ushtarët e kontingjentit italian dhe hungarez. Protesta, për të kundërshtuar kryetarët e sapozgjedhur të komunave, të hënën janë organizuar edhe në Zubin-Potok e Leposaviq
Njëzet e pesë ushtarë të KFOR-it janë plagosur të hënën nga sulmet e protestuesve serbë në Zveçan, të cilët hodhën në drejtim të tyre koktej molotovi, shok-bomba, gur e mjete të tjera të forta.
Misioni i Aleancës Veriatlantike në Kosovë ka bërë të ditur se njësitet e saj kanë qenë të vendosura në katër komunat me shumicë serbe në veri për të frenuar demonstratat e dhunshme që u organizuan për të kundërshtuar kryetarët e sapozgjedhur të komunave që të ushtrojnë detyrën në ndërtesat e kuvendeve komunale. Sipas njoftimit të KFOR-it, cak i sulmeve të paprovokuara ishin ushtarët e kontingjentit italian dhe hungarez. Ushtarët bëhet e ditur se kanë pësuar thyerje në pjesë të ndryshme të trupit dhe kanë marrë djegie nga shpërthimi i mjeteve ndezëse.
“Komandanti i misionit të KFOR-it, gjenerali i divizionit Angelo Michele Ristuccia, personalisht po e përcjell zhvillimin e situatës dhe shpreh keqardhjen e tij për burrat dhe gratë e misionit të lënduar gjatë përleshjeve. Ai theksoi se sulmet e paprovokuara ndaj njësiteve të NATO-s janë të papranueshme dhe KFOR-i do të vazhdojë të përmbushë mandatin e tij në mënyrë të paanshme”, ka thënë KFOR-i për KOHËN.
Ndaj sulmeve ka reaguar edhe ministri i Jashtëm i Italisë, Antonio Tajani. Ai ka konfirmuar se 11 ushtarë të KFOR-it janë lënduar në veri të Kosovës, tre prej të cilëve janë në gjendje të rëndë, por jashtë rrezikut për jetë.
“Dua të shpreh solidaritetin tim me ushtarët e misionit të KFOR-it, të cilët u plagosën në Kosovë gjatë përleshjeve ndërmjet demonstruesve serbë dhe Policisë kosovare. Mes tyre 11 italianë, 3 prej të cilëve janë në gjendje të rëndë, por jashtë rrezikut për jetën. Ushtria italiane vazhdon të punojë për paqen”, ka shkruar ai në “Twiter”.
Policia thotë se ka pasur edhe të shtëna armësh nga protestuesit
Për veprimet e dhunshme të protestuesve ka njoftuar edhe Policia e Kosovës. Pesë protestues raportohet se janë arrestuar nën dyshimin se kanë lënduar disa zyrtarë të KFOR-it.
“Protestuesit në Zveçan nuk kanë zbatuar urdhrat zyrtarë për largim, por kanë rezistuar dhe kanë filluar të hedhin mjete të ndryshme, koktej molotovi, shok-bombë, mjete eksplozive, si dhe janë dëgjuar gjuajtje me armë zjarri. Si pasojë e dhunës së shfrenuar deri më tani janë lënduar-plagosur disa zyrtarë të KFOR-it, si dhe deri më tani janë arrestuar pesë persona të dyshuar, të cilët kanë përdorur sulme e dhunë ndaj tyre”, thuhet në njoftimin e PK-së.
Po ashtu bëhet e ditur se një veturë e Policisë është djegur dhe janë dëmtuar disa vetura të tjera.
Sipas njoftimit të PK-së, nga tri komunat veriore ku po vazhdojnë protestat jopaqësore, protestuesit në vazhdimësi kanë provokuar situatën, kanë shfaqur dhunë, kanë gjuajtur gjësende të ndryshme në drejtim të zyrtarëve policorë, kanë vendosur e shkruar mbishkrime provokuese me simbole serbe e ruse në automjetet policore e të KFOR-it, si dhe kanë dëmtuar gomat dhe pjesë të tjera të automjeteve.
“Nga protestues të maskuar janë penguar dhe rrezikuar edhe gazetarë të mediave të ndryshme, të cilëve iu janë dëmtuar automjetet e tyre, prej tyre një veturë e kanë djegur, e po ashtu iu janë shkruar mbishkrime nacionaliste serbe. PK-ja sipas mundësive iu ka ofruar siguri mediave-gazetarëve duke i zhvendosur në perimetër të sigurisë”, thuhet më tej në njoftim.
Më tej bëhet e ditur se alarmet janë lëshuar në vazhdimësi në komunat veriore me qëllim të rimobilizimit të tyre, teksa është shtuar se autoritetet në vazhdimësi janë në koordinim me KFOR-in për menaxhim të situatës.
“Deri më tani edhe në Leposaviq protestuesit kanë gjuajtur gjësende të ndryshme dhe fishekzjarrë ndaj zyrtarëve dhe mjeteve policore. Policia e Kosovës në vazhdimësi ka qenë e koordinuar me KFOR-in për të menaxhuar situatën. KFOR-i është detyruar të veprojë pasi nga dhuna e protestuesve është vënë në rrezik jeta e zyrtarëve, janë vënë në rrezik dëmtimi i automjeteve dhe prona publike. Policia e Kosovës vazhdon në menaxhimin e situatës në koordinim me KFOR-in dhe ka filluar hetimet intensive, lidhur me dhunën dhe sulmet e shkaktuara ndaj mediave, pjesëtarëve të KFOR-it dhe Policisë”, thuhet në njoftim.
KFOR-i është përpjekur të shmangë përplasjen, Lista Serbe ka refuzuar kërkesat e tij
Protestat para objekteve të komunave me shumicë serbe ishin paralajmëruar që më parë. Për të evituar hyrjen me dhunë në to, në orët e mëngjesit janë vendosur njësitet e ushtarëve të KFOR-it. Përgjatë perimetrit të objektit të Komunës në Zveçan ishte vendosur edhe rrethoja me tela. Protestuesit e mbledhur para Komunës së Zveçanit kanë vendosur flamurin e Serbisë në një autoblindë të Njësitit Special të Policisë së Kosovës, ndërsa në një tjetër i kanë shkruar me sprej katër “C” dhe simbolet ruse. Po ashtu është shkruar me sprej edhe në një autoblindë të KFOR-it.
Policia e Kosovës, për shkaqe sigurie vendosi të evakuonte gazetarët, duke i futur brenda objektit të Komunës së Zveçanit. Brenda ishin edhe shumë pjesëtarë të Njësitit Special të Policisë së Kosovës.
Para kësaj komune tashmë ishte mbledhur një grumbull i qytetarëve, përfshirë edhe kryetarin e Listës Serbe, Goran Rakiq, dhe nënkryetarin Igor Simiq.
Për të shmangur incidentet që në mëngjes përfaqësues të KFOR-it e të Policisë kanë biseduar me zyrtarët e Listës Serbe.
Udhëheqësi i njësitit të KFOR-it, që kujdesej për sigurinë para Komunës së Zveçanit, është dakorduar me kryetarin e Listës Serbe, Goran Rakiq, që të largohen dy autoblindat e njësitit Special të Policisë. Por protestuesit nuk kanë liruar rrugën. Rakiq ka kërkuar nga qytetarët të rrinë aty derisa Njësiti Special i Policisë të largohet dhe kryetari i ri, Izmir Zeqiri, të mos lejohet të futet në objektin e Komunës së Zveçanit.
“Ky është objekti i Komunës, objekt i qytetarëve, ku punojnë familjet tona dhe do të qëndrojmë këtu. Ata që janë të padëshiruar duhet të largohen. Nëse doni të largoheni, do të krijojmë hapësirë të largoheni”, u ka thënë presidenti i Listës Serbe, Goran Rakiq, përfaqësuesve të KFOR-it.
Negociatori i KFOR-it ka pyetur edhe pse njerëzit mbajnë maska, ndërsa nënkryetari i Listës Serbe, Igor Simiq, ka shpjeguar se shkak për këtë është frika se policia mund t'i arrestojë nesër, siç ka ndodhur më parë.
KFOR-i, ka thënë negociatori i saj, do ta kuptojë si shenjë të vullnetit të mirë, nëse qytetarët tërhiqen për të larguar një veturë të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, e cila do ta zëvendësojë veturën e KFOR-it. Negociatori i KFOR-it po ashtu ka sqaruar se nuk mund të ndikojnë në vendimin e Qeverisë së Kosovës, që kryetarët e sapozgjedhur të vijnë në vendet e tyre të punës. Ka treguar se diskutimet po zhvillohen në nivelin më të lartë, dhe se është në interes të KFOR-it që të mos ndodhin incidente.
Meqë negociatat nuk kanë dhënë rezultat, rreth orës 16:30, pjesëtarët e KFOR-it kanë kërkuar nga protestuesit të largohen nga dy autoblindat e Policisë së Kosovës, të cilat ishin bllokuar në mes të turmës, por ata kanë refuzuar. Për t’i shpërndarë KFOR-i ka hedhur gaz lotsjellës dhe pas kësaj protestuesit janë kundërpërgjigjur me hedhjen e shok-bombave dhe shishe të molotovit në drejtim të pjesëtarëve të KFOR-it. Për pasojë është djegur një veturë e Policisë së Kosovës e janë dëgjuar edhe të shtëna me armë zjarri.
Në Zveçan është parë edhe një automjet i ambulancës pas sulmeve të protestuesve kundrejt ushtarëve të KFOR-it. Gjatë këtij konfrontimi, sipas pamjeve që janë shfaqur në media, disa pjesëtarë të KFOR-it janë lënduar. Ata janë parë duke u tërhequr nga kolegët e tyre. Pas këtij konfrontimi protestuesit janë larguar dhe po qëndrojnë më larg nga objekti i Komunës. Një numër i gazetarëve gjatë kësaj përplasjeje të përgjakur janë ngujuar në njërin nga lokalet e afërta, ku kanë qëndruar për disa orë.
Në Leposaviq e Zubin-Potok më pak tensione se në Zveçan
Në Leposaviq protestuesit, ndonëse jo të dhunshëm si në Zveçan, nuk janë shpërndarë deri në orët e mbrëmjes. Me thirrje nacionaliste e fyerje ndaj pjesëtarëve të KFOR-it dhe gazetarëve që po i përcjellin zhvillimet atje, ata kanë qëndruar para ndërtesës së Komunës. Protestuesit nuk u janë përgjigjur thirrjeve të KFOR-it për t’u shpërndarë në mënyrë të qetë.
Disa protestuese serbe kanë ardhur para Komunës me pelena në dorë, duke thënë se janë dhuratë për kryetarin e ri të Komunës. Ata kanë insistuar të futen brenda Komunës apo t’u dorëzohet “dhurata”, por përfaqësuesit e KFOR-it nuk e kanë pranuar këtë. Më pas protestuesit kanë gjuajtur “pampersa” në drejtim të ushtarëve të KFOR-it dhe vezë në drejtim të veturave zyrtare.
KFOR-i dhe Policia janë përkujdesur që të mos pengohet as kryetari i ri i Zubin-Potokut, Izmir Zeqiri. Fshati Çabër, prej nga vjen Zeqiri, që në orët e mëngjesit të së hënës patrullohej nga forca të shumta të KFOR-it e të Policisë së Kosovës. Rruga nga ky fshat deri tek objekti komunal, në çdo cep të saj menaxhohej nga ushtarët e KFOR-it. E para objektit të Komunës qëndronin disa policë me mburoja. Numri i tyre ishte disa fish më i madh brenda në objektin e Komunës, të cilin Policia e Kosovës e ka shndërruar në pikë stacioni. Por, me t’u lëshuar alarmi para Komunës u grumbulluan qindra protestues. Herë pas here ata provokonin policët që kujdeseshin për objektin e Komunës, por nuk pati përplasje. Në pjesën e dytë të ditës, protestuesit ishin më të paktë në numër. Gjatë ditës para policisë këndoheshin këngë nacionaliste. Fyerje verbale ata drejtuan edhe ndaj mediave.
Pasi morën vendimin për të ndërprerë protestën dhe për ta vazhduar të njëjtën, protestuesit në largim e sipër ia vunë flakën veturës së TËVË-1. Vetura ishte disa metra afër autoblindave të KFOR-it.
Sulmet e dhunshme të protestuesve ndaj KFOR-it janë dënuar nga përfaqësuesit ndërkombëtarë dhe të vendit.
Kryetarët e rinj, Izmir Zeqiri i Zubin-Potokut, Ilir Peci i Zveçanit dhe Lulzim Hetemi i Leposaviqit bënë betimin në pozitat e tyre më 25 maj. Ndërsa kryetari i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, u betua më 19 maj. Ata fituan në zgjedhjet e jashtëzakonshme të prillit, e të cilat u bojkotuan nga shumica e serbëve. Zgjedhjet u kontestuan edhe nga pushteti i Serbisë, e cila ka inkurajuar serbët lokalë që të mos njohin drejtuesit e rinj të komunave.