Në njëvjetorin e vrasjes së Engjëll Smërqakut, të shtunën në Gjilan është mbajtur protestë paqësore para Kuvendit Komunal, ku është kërkuar drejtësi për 19-vjeçarin. Edhe pas një viti fajtori nuk është gjetur, madje nuk ka pasur asnjë të dyshuar. Edhe pse Prokuroria ka thënë se janë duke u marrë në mënyrë intensive me rastin, familjarët kanë deklaruar se janë të zhgënjyer nga drejtësia
Kur ka kaluar një vit nga vrasja e 19-vjeçarit Engjëll Smërqaku, familja dhe qytetarë të tjerë të Gjilanit u mblodhën para Kuvendit Komunal që të kërkojnë drejtësi për të.
Në 23 tetorin e viti të kaluar ai u vra para banesës së tij dhe sot e asaj dite kryerësit e kësaj vepre nuk janë gjetur ende. E zhgënjyer me drejtësinë u shpreh nëna e tij.
“Lus organet e drejtësisë, edhe pse jam shumë e zhgënjyeme me punën e tyre. Aspak s’kanë bërë deri tash. Po më vjen edhe turp me shku me i pyet se ku kanë shku me hetime. Marre është në këtë shekull mos me u gjet vrasësi”, ka thënë Flora Smërqaku, nëna e viktimës.
Në kërkim të drejtësisë është edhe vëllai i viktimës, që protestën e përcillte nëpërmes kamerës pasi që ndodhej jashtë vendit, e për të cilin e ëma kishte një porosi.
“Une nuk du me u hakmarrë, une nuk du me dal me nxjerr hak, as fmija jem nuk guxon kurrë me i përlye durt me gjak, une du veç drejtësi”, ka thënë.
E momentet e fundit me të i tregonte të lumtura shoku i tij me të cilin punuan bashkë në natën tragjike.
“Jo, gjithçka ka qenë e zakontë, përkundrazi, djali ka qenë shumë i lumtur, si në qef…kena punu në kuzhinë. Ai i ka kry gati krejt punët atë natë edhe nuk e kam vrejt diçka që nuk është në rregull me të”, ka thënë Adnit Daku, shok i të ndjerit.
Si djalë joproblematik e të sjellshëm e kujtojnë edhe shokët e tjerë të cilët kërkojnë drejtësi për Engjëllin.
“Ka qenë një djalë i qetë, dashamir me të gjithë miqtë e tij, familjarët e tij, shokët e tij. Engjulli në jetën e tij që ka kaluar një fjalë të keqe nuk ia ka folur askujt”, ka thënë Gentrit Hyseni, shok dhe familjar i viktimës. “Kërkesa ime është për drejtësi, me e zbardh rastin se dje ka qenë Engji e nesër mundet me qenë dikush tjetër, mund të qajë nana e dikuj tjetër”, ka thënë Endrit Krasniqi, shok i cili po kërkonte drejtësi për shokun dhe më shumë siguri në vend.
KOHA ka kontaktuar Prokurorinë Themelore në Gjilan dhe ata në një njoftim për media kanë thënë se janë duke u marrë me rastin, por nuk kanë dhënë detaje.
“Për hir të korrektësisë dhe njoftimit sa më të saktë të opinionit publik, ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Gjilan, në koordinim me Policinë e Kosovës, që nga vrasja e të ndjerit E.S., e deri më tani janë marrë dhe do të vazhdojnë të merren intensivisht me hetimin e këtij rasti, deri në identifikimin e personave të dyshuar të mundshëm”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore në Gjilan.
Engjëll Smërqaku u vra me thikë më 23 tetor të vitit të kaluar, pas mesnate, kur po kthehej nga puna. Ai mori tri plagë të cilave nuk mundi t’u bënte balle dhe vdiq në QKUK, ku u transferua si pasojë e plagëve të rënda.