Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Protesta e PD, molotovë e fishekzjarre drejt Kryeministrisë dhe Ministrisë së Energjisë

Protesta

Tensione janë regjistruar këtë të diel në protestën e Partisë Demokratike, ku nuk kanë munguar molotovët dhe fishekzjarrët të hedhur në drejtim të godinave të institucioneve kryesore, njofton “RTSH”. 

Protestuesit u mblodhën fillimisht përpara Kryeministrisë, ku hodhën molotovë, ndërsa policia reagoi duke përdorur ujë dhe gaz lotsjellës për t’i shpërndarë. Më pas, turma u zhvendos drejt Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, duke ndjekur të njëjtin skenar.
Protesta udhëhiqet nga kreu i PD-së, Sali Berisha dhe deputetë të kësaj partie, të cilët shoqërojnë qytetarët sipas qarqeve që përfaqësojnë në Kuvend. Organizatorët kanë paralajmëruar se nuk do të ketë podiume apo fjalime.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Për të garantuar rendin publik, Policia e Shtetit ka angazhuar mbi 1400 efektivë në terren. Qarkullimi në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” është bllokuar që prej orës 09:30, ndërsa nga ora 13:00 janë mbyllur edhe rrugët “Papa Gjon Pali II”, “Ukraina e Lirë” dhe “Ismail Qemali”.

Pas sulmeve me lëndë djegëse drejt godinës së Kryeministrisë dhe Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, një grup protestuesish kanë shënjestruar edhe selinë qendrore të Partisë Socialiste.
Për të menaxhuar situatën dhe për të parandaluar dëmtimin e institucionit, forcat e rendit kanë ndërhyrë me shpejtësi. Krahas kordonit policor, në gatishmëri ishte vendosur edhe një automjet me ujë me presion. Policia ka përdorur hedhjen e ujit jo vetëm për të shuar menjëherë flakët e molotovëve të ndezur në rrugë, por edhe për të zmbrapsur demonstruesit që po vijonin sulmin.

Deri në këto momente, situata mbetet e tensionuar, ndërsa forcat e policisë kanë rrethuar pikat strategjike rreth institucioneve qendrore.

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, mbajti një fjalim para mbështetësve pas protestës së fundit të opozitës, duke vlerësuar pjesëmarrjen e qytetarëve dhe duke e lidhur qëndresën e tyre me përvjetorin e përmbysjes së diktaturës komuniste 34 vjet më parë.

Berisha e përshkroi protestën si një “goditje të merituar” ndaj asaj që e quajti “diktatura e sotme” dhe paralajmëroi përshkallëzim të aksionit opozitar, duke garantuar se tubimi i ardhshëm do të jetë më i madh.

“Një përshëndetje, një mirënjohje të pakufishme, me qëndresën tuaj nderuat më shumë se kurrë këtë datë, përmbysjen e diktaturës komuniste 34 vite më parë, por i dhatë goditjen e merituar diktaturës së sotme. Ju garantoj se tjetra do jetë me e shkëlqyer. Për Edi Ramën nuk do ketë më vrimë miu ku do futet. Kryengritja paqësore e shqiptarëve do ti japë ndëshkimin që meriton”, tha Berisha.
 

 

Gjashtë policë të lënduar në protestën e PD-së në Tiranë

Policia e Shqipërisë ka njoftuar se gjashtë zyrtarë policorë janë lënduar si pasojë e dhunës në protestën e Partisë Demokratike të organizuar në Tiranë të dielën. Policia e Shtetit ka bërë të ditur se gjendja e të lënduarve është jashtë rrezikut për jetën. 

Në protestë janë hedhur koktej molotovi dhe fishekzjarrë, ndërsa policia ka përdorur gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit. 

“Gjatë tubimit të zhvilluar nga subjekti politik Partia Demokratike, i cili u përshkallëzua në akte dhune ndaj forcave të rendit, u lënduan 6 punonjës policie. Të dëmtuarit, përkatësisht efektivë të Forcës së Posaçme “Shqiponja”, Forcës Kombëtare të Sigurisë dhe  Policisë Rrugore, po marrin ndihmë mjekësore në Spitalin e Traumës dhe në QSUT. Gjendja e tyre shëndetësore është e stabilizuar dhe ata ndodhen jashtë rrezikut për jetën, nën kujdesin e mjekëve. Policia e Shtetit, gatë tubimit u bëri thirrje, nëpërmjet Qendrës së Zërit, pjesëmarrësve në tubim të mos ushtronin akte dhune dhe të mos sulmonin punonjësit e Policisë me bomba molotov dhe lëndë piroteknike, por një pjesë e pjesëmarrësve sulmuan punonjësit e Policisë”, thuhet në postimin e Policisë së Shtetit. 

Policia ka thënë se dënon aktetet e dhunës ndaj zyrtarëve policorë si dhe ndaj institucioneve shtetërore. 

“Policia e Shtetit kishte marrë masa për ruajtjen e institucioneve, rendit dhe sigurisë publike dhe mbetet tërësisht e angazhuar, për të garantuar ushtrimin e së drejtës qytetare për të protestuar.

Njëkohësisht, dënon me forcë aktet e dhunës së përsëritur ndaj punonjësve të Policisë në krye të detyrës, si dhe ndaj institucioneve shtetërore”.