Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Tensione në protestën e opozitës në Shqipëri, hidhen molotovë e fishekzjarrë

Shqipëri

Tensione të mëdha ka pasur në Tiranë, në protestën e organizuar nga Partia Demokratike në Shqipëri. Protestuesit janë përplasur me autoritetet e sigurisë, duke hedhur molotovë e fishekzjarrë në drejtim të objekteve institucionale. E Policia u kundërpërgjigj me ujë. Mediat në Shqipëri kanë raportuar edhe për të paktën dy të lënduar.

Protesta nisi para Kryeministrisë, por situata u tensionua menjëherë pas përfundimit të fjalës së kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha. Disa protestues hodhën molotovë dhe mjete piroteknike drejt godinës, ndërsa policia u përgjigj me autobotë me ujë, gaz lotsjellës dhe bomba zhurmuese për të shpërndarë turmën.

Pas përshkallëzimit të situatës, protestuesit u zhvendosën drejt Kuvendit të Shqipërisë, ku tensionet vijuan. Në disa momente u raportua për hedhje të sendeve të forta ndaj efektivëve, ndërsa një automjet i policisë për shpërndarjen e ujit mori flakë në zonën e Rrugës së Elbasanit.

Momente tensioni ka pasur edhe te Xhamia e Namazgjasë. Aty ka pasur besimtarë që tentonin t’u iknin përplasjeve duke u shkaktuar një rrëmujë e madhe.

Gjatë protestës, Berisha ka thënë se ato s’do të ndalen e se “nuk ka gjë në botë që i shpëton ata”.

Nga ana tjetër, kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, reagoi përmes rrjeteve sociale, duke akuzuar organizatorët për nxitje dhune dhe përdorim të molotovëve.

Reagim pati edhe nga ministrja e Brendshme, Albana Koçiu, e cila dënoi çdo akt dhune dhe u bëri thirrje organizatorëve të protestës të shmangin përfshirjen e të miturve në akte që rrezikojnë jetën e qytetarëve, policëve dhe gazetarëve.

Edhe Vazhdojnë protestat e opozitës në Shqipëri - hidhen molotovë, fishekzjarrë e gaz lotsjellës Arbëri Vazhdojnë protestat e opozitës në Shqipëri - hidhen molotovë, fishekzjarrë e gaz lotsjellës

Paraditen e së premtes, Policia e Tiranës kishte njoftuar se nuk kishte dhënë leje për tubimin, duke paralajmëruar mundësinë e akteve të dhunës.

 

Pas protestës, është bërë e ditur se 31 persona janë shoqëruar për në Polici.

Opozita po proteston me kërkesë për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.