Deri të premten kanë afat mësimdhënësit që t’i dërgojnë qëndrimet e tyre nëse janë për apo kundër propozimit të Sindikatës së Arsimit, për pezullimin e grevës deri në janar të vitit 2023.
Që nga ora 9 e mëngjesit e deri në orën 12 të mesditës së të enjtes, disa mësimdhënës në nivel vendi qëndrimin e kanë dhënë nëpërmjet votimit të fshehtë. Në shkollat që i ka vizituar KOHA, dy janë shprehur për fillimin e procesit mësimor, ndërsa dy kundër.
Shkolla “Emin Duraku” në kryeqytet është e shprehur e gatshme t’i hapë dyert për nxënësit qysh të hënën.
“Gjatë ditës së sotme 80 për qind janë shprehur për fillimin e procesit mësimor edhe pse kanë propozuar që të pezullohet greva, në një farë mënyre ne mendojmë që më mirë do të kishte qenë ndërprerje, jo pezullim për të vazhduar në muaj e ardhshëm”, ka thwnw Zarife Bajgora-Godanci, mësimdhënëse në SHFMU “Emin Duraku”.
“Sipas rezultateve që janë servuar, të hënën mësimi në shkollën tonë fillon, mbi 80 për qind e mësimdhënësve janë për fillimin procesit mësimor, ndërsa mbetet nesër të shihet se si do të jetë rezultati në nivel vendi. Është një lajm i mirë, sepse personalisht kam qenë kundër mohimit të drejtës së fëmijëve për shkollim”, shtoi Visar Osmani, drejtor në SHFMU “Emin Duraku”.
Pezullimin e grevës e kanë mbështetur edhe mësimdhënësit e shkollës “Ismail Qemali” në Prishtinë. Sipas kryetarit të grevistëve të shkollës, Naim Bytyçi, 67 kanë qenë që mësimi të fillojë të hënën.
Ndërsa, kundër pezullimit të grevës janë shprehur mësimdhënësit në gjimnazin “Sami Frashëri”.
Të të njëjtit qëndrim kanë qenë edhe 90 për qind e arsimtarëve në gjimnazin “Ahmet Gashi”. Në këtë shkollë kanë thënë se presin reflektim nga Qeveria për realizimin e kërkesave të tyre.
"Arsyeja kryesore është sepse ne kemi mbetur në atë rrugën ku realisht edhe mësimdhënësit në këtë rast edhe nxënësit janë viktimë përkatësisht e mos daljes nga situata ndërmjet SBASHK-ut dhe Qeverisë, thjesht ata duhet të reflektojnë, përkatësisht Qeveria”, pohoi Xhelal Hajrullahu, mësimdhënës në gjimnazin “Ahmet Gashi”.
Drejtori i këtij gjimnazi, Haxhi Metaj, ka thënë se vendimi nuk është definitiv, pasi kanë vendosur që ta diskutojnë edhe një herë propozimin për pezullim të grevës.
Më së largu gjatë fundjavës SBASHK-u pritet të dalë me rezultatet e përgjithshme të votimit.
Që nga 25 gushti, mësimdhënësit janë në grevë të përgjithshme, me kërkesën për shtesë mbi pagë në vlerën e 100 eurove.