Arbëri

SBASHK-u në pritje të rezultatit të votimit, mësimdhënësve nuk u dalin pagat në llogari

Për të shtunën SBASHK-u ka paraparë ta marrë vendimin final për pezullimin ose jo të grevës në arsim, të bazuar në votën e mësimdhënësve. E burime të KOHËS kanë thënë se në disa shkolla u votua në favor të hapjes e në ato që shumica kanë qenë kundër është kërkuar rivotimi. Në Qeveri është bërë e ditur se janë ekzekutuar pagat për të gjithë punëtorët e sektorit publik, porse nuk kanë sqaruar nëse ato u janë paguar edhe mësimdhënësve. Por, Këshilli Grevist ka bërë të ditur se mësimdhënësve nuk u kanë dalë pagat në llogari

Të premten ka përfunduar afati që mësimdhënësve u është dhënë nga Sindikata për të deklaruar nëse janë për apo kundër propozimit të Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) për pezullim të grevës, deri në janar të vitit 2023 dhe fillimin e procesit mësimor më 3 tetor. Përgjigjja nga komuniteti i mësimdhënësve - nëse do të hapen dyert e shkollave nga java e ardhshme, pritet të bëhet publike të shtunën (sot). Skënder Gashi, anëtar i Këshillit Grevist, ka thënë se janë duke mbledhur “rezultatet”.

“Ne jemi duke i marrë të dhënat nga terreni, nga kryetarët e shoqatave sindikale, nga kryetarët e niveleve komunale, kështu që pasdite dalim edhe i përpunojmë ato të dhëna, dhe të dhënat i konvertojmë në përqindje, të cilat i dërgojmë në Këshillin Grevist të BSPK-së dhe Këshilli Grevist i BSPK-së del publikisht se cili është rezultati që e kemi marrë”, ka thënë Gashi.

Burime të KOHËS treguan se në disa shkolla mësimdhënësit refuzuan të votonin, nën arsyetimin se ata nuk ishin pyetur nga SBASHK-u kur ishte vendosur për të hyrë në grevë. E në disa sosh në Prishtinë konfirmuan se përqindja më e madhe e deklarimeve të mësimdhënësve është për ndërprerje të grevës.

Naim Bytyçi, që është kryetar i këshillit grevist të shkollës “Ismail Qemali”, ka thënë se megjithatë janë në pritje të vendimit përfundimtar.

“Ne arsimtarët e “Ismail Qemalit” i kemi thënë po pezullimit të grevës, mirëpo njëkohësisht sot kanë qenë në grevë dhe janë duke e pritur rezultatin përfundimtar”, ka thënë Bytyçi.

Burime të KOHËS kanë thanë se SBASHK-u ka udhëzuar që të përsëritet votimi në të gjitha shkollat ku shumica e mësimdhënësve ishin pro qëndrimit në grevë. E bashkë me udhëzimin ua ka përcjellë informatën se nuk do të dalin pagat për ditët sa kanë qëndruar në grevë.

Në SBASHK refuzuan të flasin për këtë, duke thënë se nuk janë të informuar për një veprim të tillë.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, teksa foli në mbledhjen e Qeverisë mbi shtesën mbi pagë, bëri të ditur se pagat për shtator janë procesuar.

“Të gjithë punonjësit e sektorit publik që kanë punuar me orar të plotë gjatë muajit dhe që marrin pagën bazë primare deri në 1000 euro e që kualifikohen për përfitim, mbështeten me shtesën prej 50 eurosh nga muaji shtator deri në fund të vitit. Meqenëse vendimi po merret tani dhe pagat tashmë janë procesuar, shtesa për shtator do të aplikohet bashkë me shtesën e muajit tetor”, ka thënë Murati.

Para mbledhjes së Qeverisë ai nuk saktësoi nëse pagat u kanë dalë edhe mësimdhënësve që ishin në grevë.

“Do të veprojmë siç e parasheh ligji”, ka thënë shkurtimisht Murati.

E në bazë të interpretimit të deritashëm që Murati ia ka bërë Ligjit për greva, punonjësve u ndalen mëditjet për kohën sa kanë qenë në grevë. Për mosekzekutimin e pagave Qeveria bazohet në nenin 18 të Ligjit të Pagave, i cili parasheh se “gjatë zhvillimit të grevës pezullohen detyrimet që rrjedhin nga kontrata e punës, duke përfshirë të drejtën në pagesë”.

E në SBASHK bazohen në nenin 13 të tij, ku thuhet se ndaj grevistëve “nuk mund të merren masa disiplinore apo materiale dhe nuk mund t’iu ndërpritet marrëdhënia e punës”.

Megjithëkëtë, në Qeveri dhe Ministrinë e Financave nuk saktësuan se si është vepruar me pagat e grevistëve.

Në Këshillin Grevist thanë se mësimdhënësve nuk u kanë dalë pagat. Reshit Kushaj, kryetar i Këshillit Grevist të SBASHK-ut, ka thënë se ende ka kohë që Qeveria t’i ekzekutojë pagat.

“Qeveria askujt ende nuk ua ka procesuar pagat për arsye se ne kemi mësimdhënës edhe që kanë punuar, kemi edhe administratën e shkollës që ka punuar rregullisht dhe të tjerë, por askujt nuk i është proceduar”, ka thënë Kushaj.

E krahas mosprocesimit të pagave dhe kërkesës së SBASHK-ut për ta mbështetur propozimin për pezullim të grevës, në Këshillin e Prindërve thanë se do të ndërmarrin një veprim nëse shkollat mbeten të mbyllura.

“Në situatën ku jemi, ku prapë po diskutohet nëse greva do të vazhdojë pas kaq javësh, nuk ka alternativë tjetër më të mirë e më të pastër dhe më të fuqishëm të prindërve sesa të bëjnë çregjistrim masiv për të krijuar një realitet të ri që do t’ua hapte sytë të gjithëve”, ka thënë Jeton Demi, nga Këshilli i Prindërve.

Që nga 25 gushti mësimdhënësit janë në grevë të përgjithshme, me kërkesën për shtesë mbi pagë në vlerën e 100 eurove, derisa të miratohet dhe të hyjë në fuqi Ligji i ri i pagave.

Kërkesa e parë e SBASHK-ut është rritja e pagës për 9.5 për qind (%) nga shtatori 2022 dhe shtesa prej 50 eurosh nga paketa ekonomike e publikuar nga Qeveria më 3 shtator 2022 për periudhën shtator-dhjetor 2022, kurse nga janari 2023 rritja e pagës për aq përqindje (%) sa është rritja ekonomike e vitit 2022, si dhe shkalla e inflacionit e vitit 2022.

Kërkesa e dytë është që në Ligjin e skemave pensionale të financuara nga shteti të bëhet plotësim- ndryshimi i tij duke eliminuar kërkesën e 15 vjetëve si kontributdhënës para vitit 1990, gjegjësisht 1999 për arsimin deri në fund të nëntorit 2022.

Dhe e fundit është se deri në fund të vitit 2022 të miratohet plotësim-ndryshimi i Ligjit të sigurimeve shëndetësore ose në të kundërtën të fillojë zbatimi i ligjit aktual të sigurimeve shëndetësore nga janari i vitit 2022.

Në takimin e parë mes Qeverisë dhe Këshillit Grevist të Sindikatave, i cili u mbajt më 13 shtator, Ekzekutivi ua ofroi grevistëve një pako me tri oferta. Qeveria u ka ofruar 50 euro në muaj deri në dhjetor. Po ashtu Ekzekutivi ua ka ofruar të jenë pjesë përmbajtjesore e diskutimeve publike për Projektligjin mbi Paga e u premtoi reformë në sistemin pensional duke e hequr pragun prej 15 vjet përvojë punë për të përfituar pensionon. Ndërsa propozimi i tretë ishte rritja e buxhetit prej 10 milionë eurosh për barnat esenciale.