Arbëri

Kundërshtohet vendimi i SBASHK-ut për protesta gjatë ditëve të javës

Këshilli i Prindërve e ka konsideruar si të paarsyeshëm pengimin e procesit mësimor me qëllim të protestës. Jeton Demi, kryetar i Këshillit, ka thënë se prindërit janë të mendimit që protestat të zhvillohen gjatë ditëve të fundjavës, kur nuk zhvillohet procesi mësimor. E Ismet Potera, njohësi i çështjeve të arsimit, ka thënë se nga protestat nuk përfiton askush po qe se procesi mësimor humbet. Këshilli drejtues i SBASHK-ut ka vendosur që humbjet në procesin mësimor të mos zëvendësohen, derisa nga Ministria e Arsimit është paralajmëruar se çdo orë e humbur do të kompensohet

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës ka vendosur që të premten dyert në të gjitha institucionet arsimore të jenë të mbyllura, shkaku i organizimit të protestës së sindikatave për jetësimin e kërkesave për rritje të pagës.

Në arsyetimin e vendimit, SBASHK-u ka njoftuar se masa ka për qëllim shmangien e rrezikut nga qëndrimi i nxënësve në objekte shkollore pa praninë e mësimdhënësve, të cilët do të jenë të pranishëm në protestë.

Pjesëmarrjen në protestë e ka vlerësuar si të domosdoshme një pjesë e mësimdhënësve, ndërsa vendimet për t’iu bashkuar thirrjes së SBASHK-ut sindikatat e shkollave i kanë marrë me anë të mbledhjeve.

Naim Bytyqi, arsimtar i lëndës së matematikës në shkollën fillore “Ismail Qemali” në Prishtinë, ka thënë se për respektimin e vendimit për protestë është vendosur me anë të votës. Bazuar në vendimin e marrë, 112 mësimdhënës të shkollës do të marrin pjesë në protestën, e cila është paraparë që të mbahet në ora 14:00.

“Mendimet janë shprehur edhe në kryesi, që mësimi të mbahet paradite, ndërkaq pasditja të vijë në protestë dhe ta shënojë si aktivitet këtë ditë, për shembull, ta zëvendësojë me një aktivitet kulturor. Mirëpo përfundimisht, vota ishte që të respektohej vendimi i përgjithshëm i SBASHK-ut”, ka thënë Bytyqi.

Orët e humbura të mësimit si pasojë e protestës nuk do të kompensohen, bazuar në një vendim të marrë nga Këshilli drejtues i SBASHK-ut.

“Edhe kur e kemi pasur grevën e kaluar trejavore në Qeverinë Haradinaj, ishte vendim që të mos zëvendësohen orët”, ka thënë kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj.

Nëpërmjet një reagimi, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka kundërshtuar vendimin e SBASHK-ut për protestë. Në reagimin e MASHTI-t është thënë se humbja e mësimit është cenim i së drejtës themelore të fëmijëve për arsimim. Në kundërshtim të vendimit të Këshillit drejtues të SBASHK-ut, nga kjo Ministri është paralajmëruar se çdo orë e humbur e mësimit do të kompensohet.

“Pretendimet e krerëve të SBASHK-ut për arsyet e mosmbajtjes së mësimit dhe mbajtjes së grevës nuk përkojnë as me gjendjen në arsimin parauniversitar, as me nevojat për ta përmirësuar atë”, është bërë e ditur në reagim.

Mësimdhënësit kërkojnë 100 euro shtesë në pagat e tyre për çdo muaj, deri në miratimin e Ligjit për Paga, si dhe përfshirjen direkte të tyre në grupin punues për Ligjin.

Jasharaj ka thënë se nuk do t’i jepet shumë kohë Qeverisë për reflektim mbi çështjen, ndërsa ka paralajmëruar grevë të përgjithshme.

"Është e vërtetë që SBASHK-u, kushdo që ka qenë kryeministër, ka bërë presione pozitive, me alarme e me greva. Disi këto grevat tona kanë pasur ndikim te Qeveritë, të cilat janë ndier keq dhe janë munduar të zgjidhin pjesërisht kërkesat tona. Te kjo Qeveri, dialogu po shkon më ngadalë, shumë më vështirë. Pikërisht kjo na solli deri këtu”, ka shtuar Jasharaj.

Këshilli i Prindërve, megjithëkëtë, e ka konsideruar si të paarsyeshëm pengimin e procesit mësimor me qëllim të protestës.

Jeton Demi, kryetar i Këshillit, ka thënë se prindërit janë të mendimit që protestat të zhvillohen gjatë ditëve të fundjavës, kur nuk zhvillohet procesi mësimor.

Ismet Potera, njohësi i çështjeve të Arsimit, ka thënë se nga protestat nuk përfiton askush po qe se procesi mësimor humbet.

“Më së shumti penalizohen nxënësit nga kjo. Çdo humbje nuk mund të kompensohet aspak, ashtu-kështu mësimi nuk zhvillohet në cilësinë e duhur dhe nëse vendoset që këto ditë të humbura të kompensohen gjatë fundjavës, nxënësit nuk e kanë motivin e njëjtë për të dëgjuar mësimdhënësin, si gjatë ditëve të punës”, ka thënë Potera.

Nëpër institucionet arsimore është mbajtur më 12 maj një grevë njëorëshe për të njëjtat kërkesa. Mirëpo disa shkolla e fakultete e kanë sfiduar thirrjen e SBASHK-ut, duke refuzuar që t’i përmbahen.

Shkolla fillore “Iliria” në Prishtinë nuk e kishte përfillur thirrjen e SBASHK-ut, pasi që përfaqësues të shkollës kishin dalë kundër mbajtjes së grevës. Edhe Fakulteti Juridik atë ditë e kishte zhvilluar normalisht procesin mësimor. Porse, sipas SBASHK-ut, shpërfillja e thirrjes për grevë nga ky fakultet ka ndodhur ngase ai nuk është pjesë e sindikatës.

Protesta e 20 majit do të jetë e dyta sivjet që do të zhvillohet nga federatat dhe shoqatat sindikale të Kosovës, pas asaj që ishte zhvilluar më 8 prill në Prishtinë.

Projektligji për paga, i cili e parasheh rritjen e pagave në bazë të koeficientit, ka mbetur pezull që nga viti 2020. Ky ligj ishte miratuar në shkurt të vitit 2019 dhe kishte hyrë në fuqi në mars të po atij viti. Por, më 2020, Gjykata Kushtetuese ka nxjerrë vendimin se legjislacioni nuk ishte në përputhshmëri me 11 nene të Kushtetutës dhe se e shkakton “çrregullimin e ndarjes së pushteteve në disfavor të Gjyqësorit dhe institucioneve të pavarura”, duke e shfuqizuar vendimin e Kuvendit të Kosovës.