Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, ka konstatuar se Lista Serbe nuk ka dashur ta propozojë një emër të dytë për nënkryetar të Kuvendit të Kosovë dhe ka vendosur që propozimi nga ky subjekt të kalojë me short.
Ky vendim i Bashës u mor pasi Lista Serbe dështoi në tri përpjekje për ta zgjedhur nënkryetar të Kuvendit, Sllavko Simiqin. Basha ka thënë se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese ka vendosur që për zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve mund të propozohet emri i njëjtë deri në tri herë dhe jo më shumë.
Pasi ftoi Listën Serbe në disa raste për të propozuar emrin e dytë dhe kjo nuk ndodhi, ai vendosi që të çojë procedurën nëpërmjet shortit.
Çka thuhet në rregulloren e Kuvendit për propozimet e subjekteve të komunitetit, për nënkryetarë të Kuvendit.
6.1. Kandidati për nënkryetar të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb propozohet nga shumica e deputetëve të komunitetit serb, dhe
6.2. Kandidati për nënkryetar të Kuvendit nga radhët e deputetëve të komuniteteve të tjera që nuk janë shumicë propozohet nga shumica e deputetëve të komuniteteve të tjera që nuk janë shumicë.
7. Në rast të mospropozimit të kandidatëve sipas paragrafit 6 të këtij neni, propozimi i kandidatëve bëhet me short, në prani të deputetëve të komuniteteve përkatëse. Kjo procedurë administrohet nga Kryetari i Kuvendit.
