“Prokuroria Themelore në Prizren, pas grumbullimit të informacioneve lidhur me një publikimin të Rrjetit të Organizatave Joqeveritare ‘AVONET’, ka arrestuar dhe ndaluar pronarët e kompanive ‘NABS’ sh.p.k. dhe ‘CONS ENG’ sh.p.k., përkatësisht të dyshuarit me iniciale G. P., S. S. dhe B. S. për shkak të dyshimit të arsyeshëm se kanë kryer veprat penale ‘Falsifikimi i dokumenteve’ dhe ‘Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik’”, thuhet në komunikatën për media të kësaj prokurorie
Prokuroria Themelore në Prizren të premten ka njoftuar se janë arrestuar pronarët e dy operatorëve ekonomikë përkatësisht tre persona, për shkak të dyshimit të arsyeshëm se kanë kryer veprat penale: falsifikimi i dokumenteve si dhe keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik. Ky organ i drejtësisë ka bërë të ditur se ndalimi i tyre ka ndodhur pas grumbullimit të informatave lidhur me një publikimin të Rrjetit të Organizatave Joqeveritare “AVONET”.
“Prokuroria Themelore në Prizren, pas grumbullimit të informacioneve lidhur me një publikimin të Rrjetit të Organizatave Joqeveritare ‘AVONET’, ka arrestuar dhe ndaluar pronarët e kompanive ‘NABS’ sh.p.k. dhe ‘CONS ENG’ sh.p.k., përkatësisht të dyshuarit me iniciale G. P., S. S. dhe B. S., për shkak të dyshimit të arsyeshëm se të njëjtët kanë kryer veprat penale ‘Falsifikimi i dokumenteve’ dhe ‘Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik’”, thuhet në komunikatën për media të kësaj prokurorie.
Aty shkruan se më datë 12 prill 2021, Rrjeti i Organizatave Joqeveritare “AVONET” ka publikuar një deklaratë për media rreth procesit të aktivitetit të prokurimit “Instalimi i ndriçimit publik dhe riparimi i ndriçimit publik ekzistues në Komunën e Prizrenit”, numër të prokurimit 622-20-2058-2-1-1, me titull “Komuna e Prizrenit i ka dhënë operatorit ekonomik kontratën në vlerë prej 1,394.853.90 eurosh me dokumente fiktive (joreale)”, ku pretendohej se: “fatura e datës 01.05.2020 me nr.1052020, e cila faturë ka plotësuar kriterin e kërkuar nga ana e Autoritetit Kontraktues, e njëjta është e dyshimtë pasi që nuk është deklaruar si shitje nga ana e biznesit “CONS ENG” sh.p.k. si dhe nuk është e regjistruar si blerje nga ana e biznesit “NABS” sh.p.k”.
“Pas publikimit të kësaj deklarate, Prokurori i Shtetit, sipas detyrës zyrtare, ka ndërmarrë veprime hetimore për grumbullimin e informacioneve duke siguruar dosjen e tenderit dhe pas intervistimit të të dyshuarve, të njëjtit janë arrestuar dhe ndaluar për 48 orë. Për çdo informatë me rëndësi për publikun lidhur me këtë rast, do të njoftoheni me kohë”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë Themelore në Prizren.
Rrjeti i OJQ-ve “AVONET” përmes një deklarate për media, të hënën, ka bërë të ditur se ka monitoruar aktivitetin e sipërpërmendur të prokurimit, me ç’rast ka identifikuar se në dosjen e ofertës është fatura e datës 01.05.2020 me nr. 1052020, dhe i është drejtuar ATK-së për ta verifikuar të njëjtën, pasi “kjo faturë ka plotësuar kriterin e kërkuar nga ana e Autoritetit Kontraktues në këtë rast të Komunës së Prizrenit”, dhe në rastin konkret si kriter është kërkuar që OE të ketë në pronësi ose në posedim pajisjet teknike, si: “Shenja të trafikut të punimeve në rrugë 3. Semafor të pavarur për menaxhimin e trafikut gjatë bllokimit të shiritave qarkullues. Specifikat module LED 300mm dhe 200mm, sipas EN12368, mundësi të punës 72 orë me bateri 12V 50Ah, controller për punë të pavarur”.
“AVONET, ka bërë hulumtim dhe ka identifikuar se OE NABS ka në dosjen e ofertës një faturë dhe katalog të cilën e ka në dosje të tenderit dhe për AVONET ka qenë si i dyshimtë ky dokument dhe AVONET ka kërkuar të verifikohet fatura e datës 01.05.2020 ne NR. 1052020. E cila është lëshuar nga biznesi CONS ENG Sh.p.k. me NRF 811298539 dhe është blerë nga biznesi NABS sh.p.k me nr (810844961), ku sipas institucionit të ATK-së në dokumentet e tyre verifikuese ka gjetur se fatura e datës 01.05.2020 ne NR. 1052020 duke nxjerr konkluzionin dhe verifikuar se: Në bazë të dokumentacionit të prezantuar ne konstatuam se fatura në fjalë nuk është deklaruar si shitje nga ana e biznesit CONS ENG Sh.p.k. me NRF 811298539, si dhe nuk është e regjistruar si blerje nga ana e biznesit NABS sh.p.k. me nr. (810844961)”, thuhet në deklaratën për media të këtij rrjeti të OJQ-ve.
AVONET ka konsideruar se operatori ekonomik, ka vënë në lajthitje, mashtruar ose falsifikuar dokumentet me të cilën ka përfituar kontratë me vlerë 1,394.853.90 euro, që është nënshkruar me Komunën e Prizrenit më datë 22 shkurt 2021.
“AVONET konsideron se kjo është një shkelje e rëndë e Ligjit të prokurimit publik dhe Kodit Penal të Republikës së Kosovës, andaj Autoriteti kontraktues duhet të veprojë dhe procedojë për lajthitje dhe mashtrim të anëtarëve të komisionit vlerësues të tenderit dhe falsifikim të dokumenteve, duke pezulluar kontratën e projektit dhe vërtetuar për të gjeturat tona. AVONET kërkon nga kryetari i Komunës së Prizrenit Mytaher Haskuka që të shkëputë kontratën dhe ta fillojë procesin administrativ ndaj OE NABS sh.p.k.”, thuhej në deklaratën për media dhe njëherësh i bëhej thirrje Prokurorisë që ta hetojë këtë rast.
KOHA të martën përmes emailit ka kërkuar sqarime nga Zyra për Informim e Komunës së Prizrenit nëse janë ndërmarrë veprime për verifikimin e këtyre pretendimeve dhe për masat që do të ndërmerren lidhur me këtë aktivitet të prokurimit.
“Në lidhje me çështjen në fjalë është kërkuar sqarim nga zyrtarët përkatës, të cilët kanë njoftuar se pretendimet për falsifikim të dokumenteve, nuk qëndrojnë. Sipas fotografive që janë siguruar nga operatori ekonomik dëshmohet se aparati “Semafor Lëvizës” është në depon e këtij operatori. Ndërkaq mosdeklarimin e faturës në ATK, ky operator e ka arsyetuar me faktin se ende nuk është kryer pagesa”, thuhet në përgjigjen e Komunës së Prizrenit, të kthyer të enjten pasdite. Aty theksohej se nuk ka bazë për ndërmarrjen e ndonjë mase lidhur me këtë aktivitet të prokurimit.
“Sipas të dhënave të siguruara, pretendimet nuk qëndrojnë prandaj Komuna e Prizrenit nuk ka bazë për të ndërmarrë masa”, thuhet në përgjigjen e kësaj komune.