Prokuroria Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur identitetin e të dyshuarit për vrasjen e së hënës në Hajvali.
Sipas Prokurorisë, i dyshuari është Xhemajl Nuhiu, i cili aktualisht ndodhet në arrati.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se me datë 11.08.2025, rreth orës 22:00, një ngjarje tragjike ka ndodhur ne lagjen Hajvali të Prishtinës, ku një person M.M., është qëlluar me armë zjarri. Viktima u dërgua menjëherë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ku mjekët e konstatuan vdekjen e tij pa shenja jete. Menjëherë pas marrjes se informatës, njësitet relevante të Policisë se Kosovës, në bashkëpunim dhe koordinim me Prokurorin e shtetit, kanë dalë në vendngjarje dhe kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore. Si rezultat i veprimeve të deritanishme hetimore, është identifikuar autori i dyshuar, Xhemajl Nuhiu, i cili aktualisht është në arrati dhe po kërkohet nga organet e rendit”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë.
Të hënën mbrëma një person dyshohet se është vrarë në Hajvali të Prishtinës.
Policia shpall në kërkim Xhemajl Nuhiun, të dyshuar për vrasjen në Hajvali
Policia e Kosovës ka shpallur në kërkim Xhemajl Nuhiun, si të dyshuar për vrasjen që ndodhi të hënën në mbrëmje në Hajvali.
“Njësiti i hetimeve të përgjitshme që operon në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prishtinë, me autorizim nga prokuroria kompetente, kërkon ndihmë nga qytetarët në ofrimin e informatave, të cilat do të ndihmonin në lokalizimin dhe arrestimin e personit të dyshuar për veprën vrasje që ka ndodhë mbrëmë në Hajvali. Personi i dyshuar XHEMAIL (BAJRAM) NUHIU ndodhet në arrati, andaj për çdo informatë që mund të çojë në identifikimin e vendodhjes së tij, na kontaktoni direkt në: E-mail: [email protected] Android #app: Lajmero Policine Tel: 192” thuhet në njoftimin e Policisë.
Në njoftim janë publikuar edhe dy fotografi të të dyshuarit.