Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, thotë se në Ditën Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit, “mund të krenohemi me ligjet e reja, që fuqizojnë sundimin e ligjit në fushën antikorrupsion”.
“Me qëllim të zbatimit të këtyre ligjeve në praktikë, në Mbledhjen e nesërme të Qeverisë, do të vendosim për shtesë financiare në pagë për prokurorët specialë, me qëllim të fuqizimit të Prokurorisë Speciale, si hap i rëndësishëm për luftën kundër korrupsionit”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Prokurorët specialë, shkruan tutje Haradinaj, të cilët ndjekin këtë fushë, nga nesër do të kenë edhe shtesat e pagës që do t’u japë atyre më shumë konfidencë që të zbulojnë dhe ndjekin veprat e korrupsionit.
“Për këtë, sistemit të drejtësisë duhet t’i vijnë në ndihmë edhe qytetarët dhe shoqëria civile, duke bashkëpunuar ngushtë, që në një të ardhme të afërt, të jemi dëshmitarë se shteti i së drejtës do të triumfojë në këtë betejë”, përfundon shkrimin në Facebook Haradinaj.