Komuna e Prizrenit ende nuk ka arritur që ta kontraktojë operatorin ekonomik për dekorimin e qytetit për festat e fundvitit. Gjatë këtij viti, prokurimi për punët që duhen ekzekutuar në kuadër të këtij projekti ka dështuar në dy përpjekjet e para. Sipas zyrtarëve komunalë, ky aktivitet i prokurimit është përsëritur për herë të tretë, me disa ndryshime, me shpresën që të ketë ofertë të suksesshme.
Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka më 21 shtator 2021 ka marrë vendim për miratimin e propozimit të Drejtorisë së Shërbimeve Publike për dekorimin e qytetit për festat e fundvitit, duke lejuar shpalljen e tenderit për mbledhjen e ofertave përkatëse.
Ndërsa në fillim të muajit tetor është publikuar njoftimi për kontratë, me vlerën e parashikuar prej 20 mijë eurove. Më 28 tetor 2021 është publikuar njoftimi për anulimin e aktivitetit të prokurimit, ku thuhej se nuk ka pasur asnjë ofertues dhe se dispozitat e Ligjit për Prokurimit Publik parashohin anulimin. Pas këtij zhvillimi në fillim të muajit nëntor është shpallur sërish njoftimi me kontratë, me parametrat e njëjtë. Më 23 nëntor 2021 është publikuar njoftimi për anulimin e aktivitetit të prokurimit pasi tenderi përmbante çmime, të cilat në masë substanciale e tejkalojnë buxhetin e autoritetit kontraktues për këtë projekt.
Shefi i Zyrës së Prokurimit në Komunën e Prizrenit, Isa Osmankaj, ka konfirmuar rrjedhën e kësaj procedure të prokurimit, duke shtuar se është vendosur që njoftimi për kontratë të shpallet për herë të tretë me disa ndryshime.
për dekorimin e qytetit për festat e fundvitit sivjet është përsëritur tri herë. Në herën e parë nuk ka pas asnjë ofertues, ku vlera e parashikuar ka qenë 20 mijë euro. Me të njëjtat paramasa e kemi përsëritur prapë dhe ka pas një ofertues, mirëpo oferta e tij ka qenë mbi 25 mijë euro, prandaj meqë oferta ka qenë mbi parashikim jemi detyruar me e anulua prapë. Kemi kërkuar nga Drejtoria e Shërbimeve Publike që ta bëj modifikimin e paramasave dhe specifikimeve teknike, gjë që është bërë, dhe e kemi shpallur për herë të tretë me vlerë të parashikuar prej 15 mijë eurove. Jemi në pritje të ofertave, dhe shpresojmë që këtë herë të kemi sukses”, ka thënë Osmankaj për KOHËN.
Sipas tij, këtë herë Komuna e Prizrenit ka qenë e obliguar që ta bëj shkurtimin e afatit për pranimin e ofertave, pasi festat e fundvitit janë afër.
“Afati i pritjes është shkurtuar prej 20 ditëve në 10 ditë, me arsyetimin që duhet me u krye punët. Ato duhen ose me u krye tani, ose nuk ia vlen që të kalohen afatet, pasi projekti më nuk ka as vlerë as efekt”, është shprehur Osmankaj.
Aktiviteti i prokurimit i Komunës së Prizrenit për dekorimin e qytetit për festat e fundvitit në vitin e shkuar pat dështuar. Asokohe bizneset që operojnë në qendër të qytetit por edhe qytetarët patën kërkuar nga Komuna që ta gjejë një zgjidhje për këtë çështje, duke konsideruar se qyteti i vjetër ka nevojë për atmosferë festive. Pas kësaj dekorimi simbolik qe realizuar në saje të bashkëpunimit të Komunës me disa biznese vendore si dhe me mjetet e një projekti turistik.
Edhe në vitin para tij tenderi për dekorimin e Prizrenit për festat e fundvitit pat dështuar, me ç’rast Komuna e Prizrenit dekorimin e qytetit e pati bërë në bashkëpunim me bizneset lokale.