Arbëri

Projektligji për RTK-në përplas pushtetin me opozitën në Kuvend

Me përplasje mes pushtetit dhe opozitës, është përcjellë mbledhja e Komisionit për Media, aty ku u diskutua projektligji për transmetuesin publik.

Por ky projektligj nuk arriti të procedohej tutje, meqë opozita nuk u pajtua me mënyrën se si pushteti po tenton t’ia dërgojë Kuvendit këtë dokument.

Opozita assesi nuk pajtohet që projektligji të mos shqyrtohet në komision, ashtu siç po kërkojnë partitë në pushtet, por i njëjti të trajtohet mes të dyja leximeve, raporton KTV.

E gjithë kjo përplasje erdhi pas një kërkese që diaspora të ketë një kanal të veçantë e redaksia të jetë jashtë Kosovës.

Kundër kësaj kërkese ishte edhe vetë Nait Hasani, kryetar i Komisionit, porse të bëhej në seancë plenare e jo në komision.

Ndërkohë, deputeti Adem Mikullovci ka ngritur shqetësimin që me projektligj parashihet edhe një kanal i veçantë për Kuvendin që tha se kjo mund ta ngarkojë shumë buxhetin.

Por, diskutimi nuk arriti të vazhdonte meqë deputeti i LDK-së, Imet Rrahmani, u përplas me deputeten e PDK-së, Xhevahire Izmaku.

Pas tij, dolën të gjithë deputetët opozitarë duke pamundësuar kështu kuorumin.

Mbledhja do të vazhdojë të mërkurën.