Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Prizreni miraton Strategjinë për zhvillimin e turizmit 2019-2023

Anëtarët e Kuvendit të Komunës së Prizrenit me shumicë votash kanë miratuar Strategjinë për zhvillimin e turizmit për vitet 2019-2023. Zyrtarët e Ekzekutivit gjatë prezantimit të kësaj politike publike kanë pohuar se me strategjinë synohet shtimi i numrit të turistëve dhe qëndrimit të tyre në këtë komunë, sikurse edhe rritja e investimeve dhe punësimeve në këtë sektor.

Në anën tjetër, anëtarët e KK-së kanë vlerësuar përmbajtjen e dokumentit, por kanë kërkuar që ai të gjejë zbatim në praktikë. Në mesin e tyre ka pasur edhe këshilltarë që haptazi kanë shprehur skepticizmin për jetësimin e veprimeve të parapara në strategji, duke arsyetuar se dokumente të ngjashme janë aprovuar edhe në të kaluarën dhe se të njëjtat dokumente kanë mbetur vetëm vizione në letër.

Fatime Uka nga Drejtoria për Turizëm dhe Zhvillim Ekonomik para anëtarëve të KK-së ka bërë të ditur se strategjia pesëvjeçare është hartuar nga “Swisscontact”, dhe se Komuna e Prizrenit është përgjegjëse për zbatimin e saj, derisa organizata zvicerane do të ofrojë ekspertizë në këtë drejtim.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)