Arbëri

Kuvendi i Prizrenit miraton Hartën Zonale

Gjashtë vjet pas vendimit për lejimin e përpilimit të Hartës Zonale, Kuvendi i Prizrenit të enjten me shumicë votash e ka miratuar këtë dokument multi-sektorial. Me këtë rast është thënë se përmes tij mundësohet zhvillimi i zonës urbane dhe rurale, sikurse edhe mbrojtja e Qendrës Historike

Anëtarët e Kuvendit të Komunës së Prizrenit, të enjten, kanë miratuar Hartën Zonale të Komunës së Prizrenit për periudhën 2022-2030.

Sipas përgjegjësve, me këtë dokument përcaktohen kushtet zhvillimore dhe ato ndërtimore për zonën urbane dhe rurale.

Përfaqësuesit e operatorit të kontraktuar kanë pohuar se me Hartën Zonale mundësohet zhvillimi i qytetit dhe i fshatrave të Prizrenit, duke respektuar normat dhe standardet e planifikimit hapësinor.

Hartën Zonale, po ashtu, mbrohet qyteti i Prizrenit për arsye se me Planin e Menaxhimit të Qendrës Historike është planifikuar zhvillim i kontrolluar në zonën e dytë të mbrojtur të banimit që e tangjenton zonën e Qendrës Historike”, ka thënë Arianit Bytyçi nga “PRIMA Engineering”.

Ndërsa, zyrtarët e Drejtorisë së Urbanizimit dhe të Planifikimit Hapësinor (DUPH) kanë sqaruar se janë ndjekur të gjitha procedurat që parashihen me legjislacionin përkatës.

“Dokumenti ka ecur në të gjitha procedurat e parapara me Ligjin e Planifikimit Hapësinor, gjithashtu janë zhvilluar debate, që keni qenë edhe ju pjesë e debateve nëpër lagje të qytetit, nëpër fshatra, pastaj shqyrtimi publik që ka kaluar nëpërmjet këtij kuvendi”, ka deklaruar Shpresa Osmanollaj nga DUPH-ja.

Pas prezantimit të Hartës Zonale, pjesa dërrmuese e grupeve të këshilltarëve kanë shprehur mbështetjen për aprovim.

“Edhe pse neve kemi pasur në fillim shumë dilema, shumë paqartësi, por me angazhimin tonë kemi tentuar dhe i kemi hequr shumë dilema, të cilat i kemi pasur dhe si grup i kuvendarëve të LVV-së e mbështesim këtë hartë”, është shprehur Karanfil Haxhillari nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.

Adrit Krasniqi i PDK-së ka qenë më i prerë. “Ne si Grup i kuvendarëve të PDK-së e mbështesim këtë pikë”.

Ndërkaq Haziz Hodaj i LDK-së ka adresuar disa vërejtje, me kërkesën që ato të merren parasysh, në mënyrë që dokumenti hapësinor të mos kthehet si i jashtëligjshëm nga niveli qendror, për lëshime eventuale minore.

“Do ta mbështesim dokumentin, duke e ditur rëndësinë e tij dhe duke e ditur që edhe gjatë implementimit të këtij dokumenti ka mundësi për ndryshime me planet e tjera rregullative që do të pasojnë nga hartat zonale”, ka thënë Hodaj.

Harta Zonale e Komunës, sipas legjislacionit, përshkruhet si dokument multi-sektorial, që përcakton hollësisht llojin, destinimin, shfrytëzimin e planifikuar të hapësirës dhe masat e veprimit, të cilat bazohen në kohëzgjatje dhe projeksione të arritshme të investimeve publike dhe private për tërë territorin e Komunës, për një periudhë së paku tetëvjeçare. Kuvendi i Komunës së Prizrenit në prill të vitit 2016 pati miratuar vendimin për lejimin e hartimit të këtij dokumenti, i cili akt pastaj ishte harmonizuar me dispozitat ligjore në korrik të atij viti.