Arbëri

Drejtuesit e Prizrenit thonë se janë afër përmbylljes së procesit për Hartën Zonale 2021-2029

Pesë vjet pas miratimit të vendimit nga Kuvendi i Komunës së Prizrenit për lejimin e hartimit të Hartës Zonale, autoritetet komunale kanë njoftuar se kanë publikuar raportin e shqyrtimit publik dhe procesit të pjesëmarrjes për hartimin e këtij dokumenti të planifikimit hapësinor. Sipas tyre, kjo nënkupton se procesi i hartimit të Hartës Zonale të Komunës së Prizrenit 2021-2029 është në prag të finalizimit.

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, të enjten, ka bërë të ditur se pas shqyrtimit të 258 kërkesave të parashtruara nga qytetarët dhe institucionet publike, OJQ-të, e arkitektët, në 13 debate publike që janë mbajtur për Hartën Zonale, është arritur që të përgatitet raporti për shqyrtimin publik dhe procesin e pjesëmarrjes në hartimin e Hartës Zonale, i cili është publikuar në ueb-faqen e Komunës së Prizrenit.

“E kemi një hartë që sot është publikuar në ueb-faqen e Komunës dhe shkon në Ministri për aprovim. Pas aprovimit nga Ministria edhe një herë vjen për miratim në Kuvendin e Komunës dhe pastaj përmbyllet ky proces”, ka thënë Haskuka. Sipas tij, procesi i përpilimit të Hartës Zonale është vonuar edhe shkaku i pandemisë. Megjithatë, ka theksuar se ky dokument i hap rrugë zhvillimit të kësaj komune.

“Me këtë hapet një rruge e re për zhvillimin e Prizrenit, ngase Harta Zonale merr parasysh kërkesat e qytetarëve, por edhe perspektivën për zhvillimin e qytetit dhe Komunës tonë”, ka deklaruar Haskuka.

Ndërsa drejtori i Urbanizimit dhe Planifikimit Hapësinor, Beni Kizolli, ka theksuar se drafti i Hartës Zonale gjatë javës së ardhshme do të dërgohet tek Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

“Me Hartën Zonale kemi arritur që brenda kufirit urban, të përcaktuar sipas Planit Zhvillimor Komunal, të ripërcaktojmë destinime të reja. Fillimisht Qendra Historike nuk është trajtuar dhe si e tillë është integruar si pjesë përbërëse, duke i mbetur besnik Ligjit për Qendrën Historike. Si rezultat i kërkesave të institucioneve relevante dhe planit për menaxhimin e Qendrës Historike, kemi vendosur edhe kufirin për zonën, që do ta quajmë zonë e dytë, ku etazhiteti i lejuar do të jetë P+2. Ndërsa pas zonës së dytë, në disa zona për vendbanime individuale, kemi lënë disa përjashtime, duke u bazuar në konfiguracione të parcelave ndërtimore dhe në disa blloqe kemi mundësuar banimin me shumë njësi, me etazhitet të mesëm. Nëpërmjet këtij rregullimi synojmë të krijomë zgjidhje urbanistike, rrugë më të gjera, parkingje dhe hapësira gjelbëruese të mjaftueshme, sipas standardeve bashkëkohore”, ka thënë Kizolli.

Ai ka pohuar se në tri korridoret kryesore në drejtim të Vërrinit, Anadrinisë dhe Korishës është lënë banimi i lartë, njëjtë si në rrethin e Bazhdarhanës, deri te rrethi i ish-“Benafit”, derisa në rrugët dytësore sikur ato që lidhen me transitin e ri është paraparë banimi kolektiv i mesëm, pasi që këto do të mundësojnë korridore me gjerësi më të mëdha.

“Jemi munduar të eliminojmë disa probleme dhe lëshime të planeve rregulluese që nuk kanë qenë funksionale, sikur në planet Dardania II, Zona e Industrisë së Lehtë, Bajram Curri, Lakuriq II, etj. Problemet dhe ankesat më të theksuara kanë qenë rrugët, ku jemi munduar t’i riorganizojmë, por jo edhe t’i eliminojmë në tërësi ato. Por problemi më i theksuar në komunën tonë mbetet shpronësimi për hapësirat që janë marrë për rrugë dhe për këtë kemi propozuar bonus, nëpërmjet të cilit kompensimi do të jetë më i arsyeshëm sesa me të holla. Po ashtu, do të kemi rrjet rrugor që na mundëson transport alternativ në të ardhmen urban dhe periferik”, ka thënë Kizolli.

Harta Zonale e Komunës sipas legjislacionit përshkruhet si dokument multisektorial, që përcakton hollësisht llojin, destinimin, shfrytëzimin e planifikuar të hapësirës dhe masat e veprimit të cilat bazohen në kohëzgjatje dhe projeksione të arritshme të investimeve publike dhe private për tërë territorin e Komunës, për një periudhë së paku tetëvjeçare.

Kuvendi i Komunës së Prizrenit në prill të vitit 2016 i pati dhënë dritën e gjelbër vendimit për lejimin e hartimit të Hartës Zonale, i cili vendim pastaj ishte harmonizuar me dispozitat ligjore në korrik të atij viti.