Trajtimi i ngadaltë i këtyre lëndëve, sipas opozitarëve, ka krijuar pakënaqësi te palët. Kërkesa për Drejtorinë e Urbanizmit për shtim të efikasitetit ka edhe nga udhëheqja komunale. Monitoruesit nga shoqëria civile kanë pohuar se vërejtjet për këtë çështje janë dhënë edhe në dy mbledhjet e fundit të kryetarit me drejtorët komunalë
Drejtoria e Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor në Komunën e Prizrenit po përballet me fluks të aplikimeve për leje ndërtimore pas miratimit të Hartës Zonale.
Opozitarët kanë bërë të ditur se kanë pranuar shumë ankesa nga qytetarët për vonesat lidhur me trajtimin e lëndëve të tyre.
Anëtarja e Kuvendit të Komunës nga Lëvizja Vetëvendosje, Dafina Alishani, këtë shqetësim e ka paraqitur në takimin publik të kryetarit me qytetarët.
“A ka ndonjë raportim, të cilin mundemi ta kemi ne si qytetarë për të ditur se sa leje janë dhënë deri më tani? Edhe a ka përshpejtim të lejeve pas lirimit të Hartës Zonale? Sepse ankesa kryesore e Urbanizmit ka qenë moskalimi i Hartës Zonale, kurse tash qytetarët kanë ankesa që ka vonesa në pjesën e marrjes së lejeve”, ka thënë Dafina Alishani.
Monitoruesit nga shoqëria civile kanë pohuar se vërejtjet për këtë çështje janë dhënë edhe në dy mbledhjet e fundit të kryetarit me drejtorët komunalë.
Sipas Eroll Shabanit nga organizata joqeveritare “EC Ma Ndryshe”, zvarritja e trajtimit të aplikimeve për leje ndërtimore mund ta rrisë rrezikun për ndërtime pa leje, duke shtuar kësisoj punën edhe për Inspektoratin.
“Ne shumë mirë e dimë që tashmë Komuna e Prizrenit e ka të miratuar Hartën Zonale, andaj e kemi një kërkesë nga Drejtoria e Urbanizimit që ta përshpejtojë punën, ta bëjë lëshimin e lejeve, por gjithsesi duhet ta ketë parasysh edhe parimin që secila leje të lëshohet në bazë të kritereve që janë të përcaktuara me ligj”, ka pohuar Shabani.
Drejtori i Urbanizmit në Komunën e Prizrenit, Pranverim Berisha, ka konfirmuar numrin e lartë të aplikimeve për leje ndërtimore, duke shtuar se ka përpjekje për shtimin e dinamikës së punës në këtë dikaster.
“Pas miratimit të Hartës Zonale, e vërtetë që kemi një fluks dhe një trend të aplikimeve, për të cilat ne si drejtori, edhe kryetari ka kërkuar që të shtohet dinamika e punës dhe maksimalisht jemi të interesuar që ta shtojmë dinamikën e punës, gjithmonë duke i respektuar kriteret ligjore dhe legjislacionin në fuqi”, u shpreh Berisha.
Kuvendi i Prizrenit më 31 mars të këtij viti pati miratuar Hartën Zonale me ç’rast ishte shprehur qëndrimi se përmes këtij dokumenti multisektorial mundësohet zhvillimi i zonës urbane dhe rurale, sikurse edhe mbrojtja e Qendrës Historike.