Buxheti i planifikuar i Komunës së Prizrenit për vitin 2022 parashihet që të jetë për 3 për qind më i madh se ai i këtij viti. Por kjo rritje nuk do të reflektohet në shpenzimet kapitale, që në vitin 2022 pritet të jenë për 8 për qind më të ulëta se në vitin 2021. Këto të dhëna janë shpalosur të premten pasdite gjatë dëgjimit të përgjithshëm publik me qytetarët për hartimin e buxhetit për vitin 2022.
Lëvizjet në pesë zërat buxhetorë, kryetari i Komunës, Mytaher Haskuka i ka cilësuar si rrjedhë normale të zhvillimeve në pushtetin lokal. “Në 4 vjetët e fundit kemi bërë investime në shkolla, QMF, qendra rezidenciale për PAK-të, po e përfundojmë qendrën për të moshuarit, çerdhet, etj. Investimet kapitale po përfundojnë. Tash na duhet ta bëjmë mirëmbajtjen e tyre dhe ta punësojmë stafin që do të punojë aty. Prandaj edhe ndryshimi në kategori është i domosdoshëm. Prej investimeve kapitale më shumë do të shkojë në rroga dhe mëditje, ose në mirëmbajtjen e objekteve, që d.m.th. mallra e shërbime”, ka thënë Haskuka, pasi që paraprakisht ka njoftuar të pranishmit lidhur me procedurat e planifikimit buxhetor. Ai ka pohuar se para këtij takimi janë mbajtur edhe 6 dëgjime të tjera në të gjitha trevat e Prizrenit me qëllim të grumbullimit të kërkesave të qytetarëve për projektet prioritare.
Ndërsa drejtoresha për Ekonomi dhe Financa, Leonora Çerreti, ka bërë të ditur se buxheti i planifikuar për vitin 2022 është afër 49.5 milionë euro, apo 3 për qind më i madh se ai i vitit 2021 që ka qenë afër 47.8 milionë euro. Sipas saj, për vitin 2022, te kategoria e pagave është kërkuar një rritje prej 2 për qind, te kategoria mallrat e shërbimet rritje prej 24 për qind, pastaj dyfishim të subvencioneve, derisa te shpenzimet kapitale ka një zvogëlim prej 8 për qind. Në vitin 2021, në kategorinë e investimeve kapitale figurojnë afër 18 milionë euro, derisa për vitin 2022 planifikimi është 16.5 milionë euro.
Në anën tjetër, qytetarët e pranishëm në këtë dëgjim publik kanë adresuar kërkesa të ndryshme, nga investimet për trashëgiminë kulturore, rregullimi i infrastrukturës e deri te themelimi i institucioneve të reja kulturore në nivel komunal.
Aktivisti shumëvjeçar i shoqërisë civile, Bashkim Gashi, ka vlerësuar se vlera e buxhetit të paraparë për Qendrën Historike të Qytetit është e pamjaftueshme kundruall nevojës për intervenim në këtë zonë të mbrojtur. Ai ka kërkuar që Drejtoria e Turizmit të planifikojë investime kapitale në objektet dhe rrugët brenda kësaj zone, meqë një gjë e tillë do të ndikojë si në ruajtjen e vlerave ashtu edhe rritjen e të hyrave nga turizmi. Krahas kësaj, ai ka kërkuar që të planifikohet ndërtimi edhe i dy qendrave të qëndrimit ditor për të moshuarit, me qëllim të shtimit të kujdesit ndaj kësaj kategorie të shoqërisë.
Blerim Bytyqi nga Orkestra e Qytetit, ka kërkuar veprime konkrete nga lidershipi komunal për institucionalizimin e këtij organizimi kulturor, duke theksuar se ky proces është zvarritur me vite të tëra. Ndërkohë edhe propozimet për zhvillimin e veprimtarisë përmes subvencionimit i ka quajtur të padrejta. “Shkolla, Spitali a mund të funksionojnë me subvencione?”, ka ironizuar ai, duke insistuar që çështja e Orkestrës së Qytetit të gjejë një epilog brenda organeve komunale.
Ndërsa Osman Jahaj ka sugjeruar disa intervenime që sipas tij, do të kishin ndikim në shtimin e sigurisë publike për nxënësit e fshatit Mazrek, sikurse ndërtimi i trotuareve, investimet në ndriçimin publik si dhe vendosja e pengesave të shtrira në rrugët afër shkollës së fshatit.
Donat Nixha nga Kuvendi i të Rinjve të Prizrenit ka kërkuar shtimin e fondeve për rininë, duke pohuar se ndarjet e subvencioneve nuk kanë qenë proporcionale për këtë kategori të shoqërisë.
Meqë takimi është transmetuar online, ka pasur edhe kërkesa të tjera të adresuara nga qytetarët, sikurse edhe nga të pranishmit në sallë. Zyrtarët e Ekzekutivit kanë ofruar sqarime lidhur me disa nga çështjet e kërkesat e adresuara.
Ky ka qenë dëgjimi i shtatë dhe i fundit publik për hartimin e buxhetit për vitin e ardhshëm, pas takimeve të mbajtura në fshatrat: Gjonaj, Piranë, Zhur, Reçanë, Korishë dhe Lubizhdë.