Komuna e Prizrenit, të hënën, nuk ka organizuar ndonjë aktivitet për shënimin e Ditës Botërore të Turizmit. Por ka prezantuar raportin e punës së Drejtorisë së Turizmit dhe Zhvillimit Ekonomik për periudhën 2018-2021.
Me këtë rast zyrtarët e kësaj drejtorie kanë pohuar se projektet e realizuara kanë ndikuar në jetësimin e pjesës më të madhe të pikave të parapara me Strategjinë komunale për zhvillimin e turizmit 2019-2023.
“Të gjitha projektet e DTZHE-së janë bërë në përputhje me Strategjinë e Turizmit. Deri më tani projektet e implementuara nga DTZHE përfshijnë afër 80 për qind të pikave të shënuara në këtë dokument”, ka thënë Fatime Uka, zyrtare në këtë drejtori.
Ajo ka shpjeguar se vlera totale e investimeve kapitale te zhvillimi i turizmit malor përgjatë kësaj periudhe kohore ka qenë rreth 280 mijë euro, ku rëndësi i është kushtuar krijimit të destinacioneve turistike, si: Kabash-Korishë, shënjimi i 10 shtigjeve të ecjes dhe promovimi i tyre, krijimi i ambientit në kroin e Gorozhupit, mirëmbajtja e rrugëve malore, destinacioni turistik në Nashec, Jabllanicë, Autokampi, Pika e Vrojtimit, etj., sikurse edhe ofertat turistike, si: “Downhill”, “Via ferrata – Panorama”, paraglajdi, kajaku, etj.
“Ndërsa kontributi në zhvillimin e turizmit kulturor deri tani ka arritur vlerën 350 mijë euro në investime kapitale”, ka deklaruar Uka, duke përmendur projektin e Kullës muze në Jeshkovë, Muzeun e Dëshmorëve në Landovicë, Muzeu i Nënës Terezë, intervenimet në Muzeun Etnografik, për të vijuar më pas me projektet për implementimin e Planit të Menaxhimit të Qendrës Historike, si ndriçimi i Kalasë së Prizrenit dhe Urës së Gurit.
Uka ka theksuar se ka pasur angazhime edhe për organizime të ndryshme dhe publikimin e materialeve promovuese, sikurse edhe ueb faqen komunale të turizmit. Sipas saj, DTZHE ka punuar edhe për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, ku prioritet i është dhënë Parkut ekonomik në Lubizhdë të Prizrenit përkatësisht rregullimit të infrastrukturës.
Ndërkaq kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka theksuar se Prizreni është qyteti më i vizituar në Kosovë, por që numri i fjetjeve nuk është në të njëjtin nivel ngase këto vizita kryesisht janë ditore. Sipas tij, ka pasur angazhime që operatorëve të huaj, Prizreni t’ju prezantohet si destinacion disa ditorë ashtu që të jetë pjesë e pakove turistike rajonale, por që përpjekjet në këtë drejtim janë goditur nga pandemia, që ka pasur efekt negativ në turizëm. Haskuka ka sqaruar se në fillim të qeverisjes janë analizuar anët strategjike të turizmit në Prizren dhe se mbi këtë bazë me donatorët ndërkombëtarë është hartuar Strategjia për zhvillimin e turizmit, ku është kërkuar që edhe pjesa tregtare të përfshihet, shkaku i karakteristikave të qytetit.
“Në të gjithë këto sfera kemi punuar dhe kemi bërë diçka. Normal shkaku i buxhetit dhe numrit të stafit shumë gjëra edhe nuk kemi mundur t’i realizojmë, por do t’i vazhdojmë investimet. Në disa gjëra kemi filluar, por pastaj ka mbet si brendimi i qytetit, edhe brenda brendimit ka qenë brendimi i Qarshisë së Bazhdarhanës, që ka nevojë të kalojë një hap më tutje nga qarshia tradicionale në diçka pak më moderne”, ka thënë Haskuka, duke përmendur edhe projektet tjera të realizuara nga kjo drejtori.
“Te zona ekonomike janë përfunduar investimet në infrastrukturë, por riparcelizimi nuk është votuar. Pa riparcelizim s’kemi mundur të vazhdojmë procedurën e shpalljes së zonës ekonomike”, është shprehur Haskuka.
Në anën tjetër drejtoresha e DTZHE-së, Sevil Liman-Kazaz është pyetur nëse ky dikaster ka realizuar ndonjë analizë lidhur me ndikimin e projekteve të realizuara përgjatë katër viteve të shkuara, me ç’rast ka theksuar se efektet pozitive janë vërejtur pas disa aktiviteteve të realizuara jashtë vendit, si në panaire ndërkombëtare që kanë mundësuar promovimin e vlerave turistike të Prizrenit, si dhe tek investimet në destinacione të reja turistike që janë mirëpritur nga turistët vendorë.
“Por si DTZHE ende nuk kemi bërë ndonjë analizë në këtë drejtim”, ka deklaruar ajo.