Rajon

Turma të mëdha njerëzish bllokojnë Novi Sadin në njëvjetorin e tragjedisë së stacionit të trenit

Novi sad

Qindra mijëra njerëz kanë mbushur të shtunën rrugët e Novi Sadit, ku po mbahet tubim përkujtimor masiv me rastin e njëvjetorit të shembjes së një pjese të stacionit të trenit, ku humbën jetën 16 persona.

Qytetarë nga e gjithë Serbia kanë ardhur në Novi Sad për të nderuar viktimat e kësaj tragjedie. Shumë prej tyre kishin mbërritur që mbrëmë në qytet – disa në këmbë, e disa me biçikleta. Më të vendosurit ishin qytetarët e Novi Pazarit, të cilët kishin ecur për 16 ditë rresht për të arritur në këtë ngjarje.

Të pranishmit u mblodhën sot në orën 10:00 në 16 pika të ndryshme të qytetit, duke marshuar drejt stacionit të trenit, ku tubimi nisi në orën 11:52 – në të njëjtën kohë kur një vit më parë ndodhi shembja tragjike. Ky konsiderohet si tubimi përkujtimor më i madh në historinë e Serbisë.

Kjo ngjarje vitin e kaluar shkaktoi valë të madhe protestash në qytete të ndryshme të Serbisë kundër pushtetit, të cilin qytetarët e mbanin përgjegjës për tragjedinë. Gjatë protestave u raportua edhe për raste të shumta të dhunës policore, që nxitën edhe më shumë zemërimin publik.

VIDEO:

Në prag të tubimit të sotëm, një nga liderët e opozitës në Novi Sad, Misha Baçullov, u arrestua sërish mbrëmë me akuzën se kishte inskenuar helmimin e tij për ta akuzuar presidentin serb Aleksandar Vuçiqin, me qëllim që të nxiste protesta masive.

Ndërkohë, Gjykata e Lartë në Beograd ka konfirmuar përsëri aktakuzën ndaj tre personave për shembjen e kulmit në Stacionin Hekurudhor të Novi Sadit.

Sipas agjencisë Tanjug, dje gjykata shpalli aktgjykim të shkallës së parë, duke konfirmuar aktakuzën e Departamentit Special për Luftimin e Korrupsionit, pasi rasti ishte kthyer më parë për rishqyrtim në Gjykatën e Apelit.

Në aktakuzë janë përfshirë Slobodanka K., menaxhere e zhvillimit të investimeve në kompaninë “Infrastrukturë Hekurudhore e Serbisë”, Milutin S., kryetar i Komisionit për Inspektim Teknik, dhe Biljana K., anëtare e të njëjtit komision. Ata akuzohen për disa vepra penale me elemente korrupsioni, që sipas Prokurorisë çuan në shembjen e kulmit më 1 nëntor të vitit të kaluar, ku humbën jetën 16 persona dhe u lënduan rëndë dy të tjerë.

Prokuroria thotë se ekziston dyshim i bazuar se mosveprimet dhe neglizhenca e të pandehurve kanë lidhje të drejtpërdrejtë me tragjedinë. Sipas saj, po të kishin vepruar me kujdes dhe të kishin kryer kontroll të jashtëzakonshëm për verifikimin e kushteve gjatë periudhës së testimit, ata do të kishin mundur të vërenin shenjat e plasaritjeve të kulmit në ditët para shembjes.