Futboll

Genoa mbetet pa trajner, largohet Vieira

Patrick Vieira

Trajneri Patrick Vieira i ka ndarë rrugët me Genoan pas më pak se një viti në krye të skuadrës.

Legjenda e Arsenalit e ka lënë klubin e Serie A në vendin e fundit dhe ende pa fitore në këtë edicion.

49-vjeçari nga Franca e mori drejtimin e Genoas më 20 nëntor të vitit të kaluar, dhe përfundoi në pozitën e 13-të në edicionin e kaluar.

Por, Genoa nuk ka pasur nisje të mirë të kampanjës dhe ish-fituesi i Premier Leagues dhe Kupës së Botës, i ka ndarë rrugët me klubin italian pas vetëm 37 ndeshjeve.

Ndeshja e fundit e Vieiras në krye të Genoas ishte të mërkurën në mbrëmje kur Genoa humbi 2:0 në shtëpi nga Cremonese.

“Genoa njofton se Patrick Vieira nuk është më trajner i ekipit të parë. Klubi e falënderon trajnerin dhe stafin e tij për punën serioze dhe profesionalizmin e demonstruar dhe i uron më të mirën në karrierë”, ka shkruar Genoa të shtunën.

Roberto Murgita dhe asistenti Domenico Criscito do ta udhëheqin skuadrën përkohësisht.