Ambasadori i Kosovës në Tiranë, Sylë Ukshini është kundër propozimit të kryeministrit Edi Rama për president të përbashkët mes Shqipërisë dhe Kosovës.
Një javë më parë në Parlamentin e Kosovës, në 10 vjetorin e pavarësisë, Rama hodhi idenë e një presidenti të përbashkët. Ndërkohë këtë të hënë në një intervistë për ‘Tema Tv’, ambasadori Syl Ukshini u shpreh se Shqipëria e ka njohur Kosovën me flamurin e saj.
Ukshini ka folur edhe për shqetësimin e bizneseve në dogana. MAPO e citon ambasadorin të ketë thënë se bizneset e Kosovës ankohen për veprimet burokratike. Ai shprehet se dy vendet kanë vullnet politik, por se kjo nuk është e mjaftueshme
I pyetur në lidhje me deklaratën e ministrit për Diasporën, Pandeli Majko, në një intervistë për Zërin e Amerikës ku thoshte se Shqipëria e ka bërë punën e saj dhe se presin nga Kosova e cila është e ndikuar nga interesat e bizneseve, ambasadori Ukshini ka këtë përgjigje.
“Unë përfaqësoj në radhë të parë interesat e shtetit të Kosovës dhe biznesit të Kosovës dhe nga bisedat që kam pasur ata kanë shumë vërejtje. që ndoshta Majko nuk i di. Por këtu nuk është momenti që duhet të bëjmë më shumë garë kush ka më shumë të vërejtje”, ka deklaruar Ukshini
Ndërkohë ambasadori shprehet se nuk është momenti i duhur për heqjen e doganave mes dy vendeve, duke konfirmuar për herë të parë publikisht se është Prishtina që po e bllokon këtë proces.
Ukshini thotë se së shpejti do të organizojnë një forum biznesi ku do të marrin në konsideratë të gjitha ankesat e bizneseve për t’i referuar në mbledhjen e ardhshme të qeverisë.