Procesin mësimor nxënësit shqiptarë të lagjes “Kodra e Minatorëve” në veri të Mitrovicës e zhvillojnë në këta kontejnerë.
Tani, përveç mungesës së kushteve infrastrukturore, disa nxënës nuk janë duke e zhvilluar procesin mësimor për shkak të incidenteve, të cilat kulmuan me vendosjen e barrikadave në komunat veriore.
Kjo shkollë, e cila numëron 17 nxënës, që nga e premtja nuk është duke e zhvilluar procesin mësimor për nivelin e mesëm të ulët, meqë prindërit janë duke hezituar t’i dërgojnë ata. Një nga familjet e nxënësve të shkollës është sulmuar së fundi me shokë-bombë.
“Posa kam biseduar edhe normal shqetësimet e tyre janë të dukshme, jo vetëm të prindërve të mi të shkollës, por edhe të tjerëve që janë në atë pjesë, sidomos pas hedhjes së mjeteve shpërthyese të bombave-shok, dhe është e natyrshme që frikësohen edhe prindërit. Aty në shkollën tonë, veç e keni parë është një barakë të kontejnerëve, shpresoj të mos vijë te telashet, po të hidhej një bombë, e tillë ka me u ndezë menjëherë e tërë hapësira”, tha Fatmir Gacaferi, drejtor i shkollës “Aziz Sylejmani”.
Një nga prindërit, i cili nuk pranoi të flasë para kamerës, ka thënë se nuk do t’i dërgojë fëmijët e tij në shkollë derisa të qetësohet situata.
E, procesi mësimor për nivelin fillor është duke u zhvilluar, mirëpo mësimdhënësit kanë treguar se gjatë ditës disa nxënës kanë munguar për shkak të situatës së tensionuar.
Gjatë kohës sa ka qëndruar ekipi i KOHËS në këtë pjesë, patrulla të policisë janë parë rreth 200 metra larg shkollës. Misioni ndërkombëtar EULEX, zyrtarët e të cilit nuk janë parë në atë pjesë, ka thënë se është duke bërë patrullime edhe më këmbë për të ofruar siguri për të gjithë qytetarët.
“Misioni po kontribuon në sigurinë e të gjitha komuniteteve në Kosovë përmes shtimit të patrullave të sigurisë, duke përfshirë patrullimet më këmbë në Mitrovicën Veriore dhe Zveçan. EULEX-i mbetet vigjilent dhe monitoron nga afër të gjitha zhvillimet që mund të ndikojnë në sigurinë e Kosovës, si dhe në sigurinë e të gjitha komuniteteve në Kosovë”, thuhet nga EULEX-i.
Drejtoresha e Arsimit në Mitrovicë, Drita Kadriu, ka thënë se janë duke e analizuar situatën. Ajo shtoi se në rast se përkeqësohet situata, procesin mësimor do ta organizojnë online.
Për shkak të situatës aktuale të sigurisë, mësimi është ndërprerë edhe në shkollat serbe fillore e të mesme në katër komunat në veri të Kosovës.
Drejtori i shkollës fillore “Sveti Sava” në Mitrovicën e Veriut, Miodrag Jovanoviq, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se ndërprerja e procesit mësimor do të vazhdojë deri në njoftimin e radhës nga autoritetet serbe. Institucionet arsimore serbe funksionojnë nën sistemin e shtetit të Serbisë.