Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Prezantohen bursat inxhinierike të Tajvanit dhe përvojat e studentëve në industrinë e gjysmëpërçuesve

Universiteti i Prishtinës

Në Qendrën e Inovacionit të Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike të Universiteti i Prishtinës (UP) janë prezantuar bursat inxhinierike nga Tajvani, si dhe përvojat akademike që një grup studentësh të UP-së kanë përfituar gjatë trajnimeve të zhvilluara në këtë vend në fushën e ndërtimit të gjysmëpërçuesve dhe mikroçipave.

Studentët e UP-së – Taulant Shala, Artinë Hoxha, Bleart Pista, Bleron Osmani dhe Anda Hamiti – të cilët qëndruan dy javë në Tajvani në kuadër të programit të bursave për trajnim në fushën e gjysmëpërçuesve, prezantuan para kolegëve dhe pjesëmarrësve aftësitë e fituara, si dhe procesin e prodhimit të këtyre pajisjeve dhe mikroçipave, të domosdoshëm për makineri të ndryshme, automjete dhe pajisje elektronike.

“Gjatë prezantimit, u theksua se Tajvani është njëri ndër prodhuesit më të mëdhenj në botë të gjysmëpërçuesve – materiali bazë për ndërtimin e mikroçipave – pa të cilët sot nuk mund të mendohet përditshmëria moderne. Studentët ndanë edhe përvojat personale të jetesës atje, duke i cilësuar banorët e vendit aziatik si shumë të shoqërueshëm dhe gjithmonë të gatshëm për të ndihmuar”, thuhet në njoftimin e UP-së në Facebook.

Ngjarja u hap nga prorektorja për Ndërkombëtarizim dhe Shkëmbim Akademik në UP, Rozafa Basha, e cila i inkurajoi studentët që të shfrytëzojnë mundësitë për t’u informuar dhe aplikuar në programet tajvaneze të bursave dhe shkëmbimit, veçanërisht në fushat e inxhinierisë, por edhe në disiplina të tjera. Ajo theksoi se Tajvani është ndër vendet ku inovacioni përbën shtyllën kryesore të zhvillimit industrial, duke nënvizuar se rreth 90 për qind e çipave më të avancuar në botë prodhohen pikërisht atje.

Prezantimin e programit të bursave e bëri zëvendësdrejtoresha e Zyrës Përfaqësuese të Taipeit në Budapest, Anna Y. C. Ho. Ajo theksoi se për studentët e UP-së më të përshtatshme janë bursat e trajnimit për ndërtimin e gjysmëpërçuesve dhe bursat e programit ndërkombëtar të arsimit të lartë. Sipas saj, këto bursa mbulojnë të gjitha shpenzimet përfituesve, ndërsa afati i fundit për aplikim është 15 mars 2026.

Ho sqaroi gjithashtu procedurat e aplikimit dhe dokumentet e nevojshme për kandidatët e interesuar. UP-ja, sipas saj, publikon rregullisht informacione për bursat që ofrohen nga universitetet e Tajvanit, me të cilat ka partneritet.

Edhe Nxënës të 5-sheve dështojnë t’i zgjidhin detyrat e provimit për t’u pranuar në UP Arbëri Nxënës të 5-sheve dështojnë t’i zgjidhin detyrat e provimit për t’u pranuar në UP

Aplikoni KËTU

Në fund të aktivitetit u shfaq dokumentari “A Chip Odyssey”, i cili paraqet rrugëtimin e Tajvanit drejt suksesit global në industrinë e gjysmëpërçuesve dhe mikroçipave. U rikujtua gjithashtu se Anna Y. C. Ho, e cila prezantoi mundësitë e bursave, kishte zhvilluar një vizitë në Rektoratin e Universitetit të Prishtinës në janar të vitit 2025.