Presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, i ka thënë homologes nga Kosova, Vjosa Osmani, se duhet të punojnë për t’i krijuar kushtet për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe Këshillin e Evropës.
Steinmeier u takua me Osmanin të mërkurën në Berlin.
Në një njoftim në Facebook të presidentit Steinmeier thuhet se Gjermania është shumë e interesuar për stabilitetin e Ballkanit Pëerndimor dhe i mbështetet aspiratat e Kosovës për anëtarësim në organizatat evropiane.
“Gjermania është shumë e interesuar për stabilitetin e rajonit dhe e mbështet anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian dhe Këshillin e Evropës, theksoi Presidenti Federal gjatë bisedimeve. Vendi duhet të punojë për t’i krijuar kushtet e nevojshme për këtë”, thuhet në njoftimin e Presidencës në Gjermani.
Ndërkohë në njoftimin e Presidencës së Kosovës për takimin thuhet se Osmani shprehu vlerësimin e thellë për mbështetjen e Gjermanisë në procesin e lirisë dhe shtetndërtimit të vendit tonë, por edhe në rrugën euroatlantike.
“Kosova dhe Gjermania kanë një partneritet të fortë dhe të qëndrueshëm të bazuar në vlerat e përbashkëta të demokracisë, paqes dhe progresit. Gjermania është aleate strategjike në rrugëtimin e Kosovës drejt fuqizimit dhe integrimit ndërkombëtar, ndaj presim që ta forcojmë edhe më tej këtë partneritet në vitet në vijim”, ka theksuar Osmani, sipas njoftimit.
Procesin e Berlinit, Osmani e ka cilësuar shtysë e fuqishme për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor. Në këtë kontekst, ka ritheksuar mbështetjen e plotë për marrëveshjet e dala nga ky proces.
Edhe
Steinmeier kërkon nga Kosova të punojë për anëtarësim në BE dhe KiE
“Në takim me presidentin Steinmeier, Presidentja Osmani ndër të tjera ka potencuar rolin dhe kontributin e mërgatës shqiptare në Gjermani, e cila është urë e fuqishme për raportet ndërmjet dy shteteve. Të dy presidentët diskutuan gjithashtu dhe potencialin për zgjerimin e bashkëpunimit në fusha të interesit të dyanshëm”, thuhet në njoftim.
Osmani ka mbërritur në Gjermani që nga e marta. U takua edhe me ministren e Jashtme, Annalena Baerbock, dhe ministrin gjerman të Bujqësisë, Cem Özdemir.
-
Osmani insiston për anëtarësimin e Kosovës në BE, ministri gjerman kërkon formim të Qeverisë
-
Osmani i kërkon Gjermanisë mbështetje për integrimin e plotë ndërkombëtar të Kosovës
-
Osmani në Gjermani, pritet të takohet me presidentin dhe zyrtarë shtetërorë
-
Osmani diskuton me ministren gjermane Luhrmann për masat e BE-së dhe Procesin e Berlinit






