Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Presidenti gjerman beson në angazhim konstruktiv të Kosovës në dialog me Serbinë

Presidenti i Gjermanisë, Franz-Walter Steinmeier, i ka dërguar letër presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, duke e uruar për Ditën e Pavarësisë së Kosovës.

Në letrën e tij Steinmeier ka cekur se dialogu me Serbinë është sfida më e madhe e politikës së jashtme të Kosovës. Ai ka thënë se beson se Kosova do të angazhohet në mënyrë konstruktive në dialog.

“Vendet tona janë të lidhura ngushtë me njëri-tjetrin në pikëpamje politike, ekonomike e kulturore. Veçanërisht afër na sjellin kontaktet e shumta personale, para së gjithash ato të diasporës kosovare në Gjermani. Gjatë vizitës suaj shtatorin e shkuar në Berlin ne patëm mundësi të thelloheshim në aspekte të shumta të marrëdhënieve tona dypalëshe. Gjermania mbështet fuqishëm perspektivën e Kosovës në BE. Në këtë kontekst një rëndësi të madhe merr realizimi me vendosmëri i agjendës së rëndësishme të reformave të qeverisë suaj në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ky do të jetë një faktor qendror në krijimin e perspektivave për të rinjtë në Kosovë, forcimin e ekonomisë, investimet e reja si dhe hapjen e vendeve të punës. Në të njëjtën kohë dialogu me Serbinë mbetet me gjasë sfida më e madhe në politikën e jashtme të Kosovës. Unë kam besim në angazhimin konstruktiv të Qeverisë suaj për bisedimet e ardhshme në kuadër të dialogut të udhëhequr nga BE përmes të ngarkuarit të posaçëm Miroslav Lajçak, të cilin e mbështes me bindje të plotë. Kosova mund të ketë besim, se te Gjermania do të gjejë një mike dhe partnere të besueshme në krah të saj”, thuhet në letër të Steinmeierit.

Osmani në anën tjetër ka falënderuar presidentin e Gjermanisë për letrën, ndërsa ka thënë se Kosova është me fat që ka përkrah shtete si Gjermania.

“E falënderoj Presidentin e Gjermanisë, z. Frank-Ëalter Steinmeier, për urimin e përzemërt për shtetin tonë, në prag të festës së pavarësisë. Ai thekson se e mban mend mirë 17 shkurtin 2008, meqë atëherë ishte ministër i punëve të Jashtme të Gjermanisë dhe menjëherë ishte deklaruar pro njohjes së Kosovës. Për më tepër, ai i jep mbështetje të fuqishme institucioneve të Kosovës në agjendën e reformave dhe në luftën kundër krimit e korrupsionit, si një faktor qendror për zhvillim ekonomik dhe investime të reja. Gjatë takimit tonë të fundit, kur me ftesë të tij e vizitova Gjermaninë zyrtarisht, Presidenti Steinmeier ritheksoi përkrahjen e palëkundur të shtetit të tij si dhe përkrahjen e tij personale për rrugën e Kosovës drejt arritjes së konsolidimit të plotë në arenën ndërkombëtare. Kosova është me fat që përgjatë rrugëtimit të saj sfidues ka pranë shtete si Gjermania dhe miq si Presidenti Steinmeier”, ka shkruar Osmani.

Image