Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Steinmeier: Zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit, vendimtar për të ardhmen e Kosovës

Vendimtare për të ardhmen e Kosovës e ka vlerësuar presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, progresin e zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit. Në letrën e urimit për 16 vjet shtet, Steinmeier ka përsëritur se Gjermania do të mbetet partnere e besueshme dhe e fuqishme e Kosovës.

Në letrën e publikuar nga Presidenca e Kosovës, Steinmeier ka njohur përparimin e Kosovës në 16 vjet shtet e tejkalimin e sfidave me sukses. Ka lavdëruar Kosovën për përkushtimin kah vlerat demokratike, pikërisht pas nisjes së luftës në Ukrainë.

Steinmeier ka thënë se Kosova gjendet para detyrave të mëdha.

“Vendi Juaj gjendet para detyrave të mëdha: Forcimi i sundimit të ligjit, sikurse edhe lufta kundër korrupcionit dhe krimit të organizuar mbeten thelbësore për ta forcuar më tej ekonominë dhe përshpejtuar përafrimin me Bashkimin Evropian. Progresi në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit është gjithashtu vendimtar për të ardhmen e Kosovës dhe mbarë Ballkanit Perëndimor. Unë i gëzohem sukseseve të arritura rishtaz, si marrëveshja për njohjen e tabelave të automjeteve dhe zgjidhja e mosmarrëveshjes së energjisë. Gjermania do të mbetet një partner i besueshëm dhe i fuqishëm i Kosovës edhe në të ardhmen dhe do ta mbështes vendin Tuaj me aq sa mundet në hapat e tjerë drejt një të ardhme paqësore, evropiane”, thuhet në letrën e Steinmeierit për presidenten Vjosa Osmani.

Marrëveshja e Ohrit, e dakorduar vjet, është aneks i zbatimit të Marrëveshjes së Brukselit, të arritur në shkurt të 2023-s. Zbatimi i saj ka ngecur. Kosova ka kërkuar që marrëveshjet të nënshkruhen, e Serbia pas dakordimit ka dalë haptas duke u shprehur se disa prej pikave të tyre nuk do t’i zbatojë.

Artikuj të ngjashëm