Para se të ftohet seanca për votimin e qeverisë, në Kosovë ka qëndruar për vizitë ministri i Punëve të Jashtme i Gjermanisë, Johann Wadephul. Ai ka takuar presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti. E gjatë vizitës, Wadephul ka shprehur pritjen për formimin e shpejtë të një qeverie, ndërsa ka thënë se stabiliteti i saj është vendimtar për rrugëtimin e Kosovës
Pritjen për formimin e shpejtë të një qeverie stabile e ka shprehur të martën ministri i Punëve të Jashtme i Gjermanisë, Johann Wadephul, gjatë vizitës së tij në Prishtinë.
Ai ka thënë se Evropa e ka drejtuar të gjithë vëmendjen kah Kosova dhe ka shtuar se formimi i një qeverie stabile është vendimtare për ecjen përpara të Kosovës në rrugën evropiane.
“Zhvillimi i Kosovës që nga përfundimi u luftës më 1999 dhe që nga pavarësia më 2008 është një histori e vërtetë suksesi. Për shumëkënd në rajon, Kosova është simbol i demokracisë dhe i një shoqërie të fortë civile. Në mënyrë që ky sukses të vazhdojë, Kosovës i duhet që sa më shpejt ta ketë një qeveri të aftë për veprim si nga brenda ashtu edhe nga jashtë. Votuesit janë duke e pritur formimin e saj që prej 8 muajsh. Ata kanë pritje të arsyeshme që këto procese demokratike të marrin një përfundim pozitiv dhe këtu bën pjesë edhe një qeveri stabile”, ka thënë ai.
Gjatë vizitës në Prishtinë, Wadephul ka pasur takim me presidenten Vjosa Osmani dhe me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.
Nga Wadephuli, Osmani e ka kërkuar mbështetjen e Gjermanisë për heqjen e masave që Bashkimi Evropian (BE) ia ka vendosur Kosovës, për anëtarësimin e saj në NATO, në BE dhe në Këshill të Evropës.
“Sepse si shtet gjithnjë kemi mbrojtur vlerat mbi të cilat janë ndërtuar dhe funksionojnë këto organizata. Në të gjithë këta mekanizma ndërkombëtarë ne synojmë të hyjmë si kontributdhënës e jo si barrë. Në këtë rrugëtim Kosova ka nevojë për mbështetjen e vendosur të Gjermanisë”, ka thënë ajo në një konferencë të përbashkët shtypi me kryediplomatin gjerman, pas takimit të zhvilluar mes tyre.
Osmani ka thënë se në takim është folur edhe për procesin e dialogut mes Kosovës e Serbisë. Për këtë çështje presidentja Osmani ka kërkuar trajtim të barabartë të palëve ndërsa kryediplomati gjerman ka shprehur ankesë lidhur me ngecjen e procesit. Ai e ka vlerësuar si “shumë të rëndësishme” arritjen e një përparimi konkret.
“Marrëveshja e Ohrit, e cila i mban të gjitha elementet relevante për normalizim, duhet të zbatohet shpejt dhe në plotësi. Këtë e presim nga të dyja palët. Për këtë nevojitet më shumë angazhim si nga Kosova ashtu edhe nga Serbia. Për Kosovën kjo nënkupton që, për shembull, të ndërmarrë hapa të nevojshëm për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, ka deklaruar ai.
E Osmani ka thënë se shkaku i masave ndaj Kosovës, trajtimi i palëve në tavolinën e diskutimeve nuk është i drejtë dhe se procesi i dialogut duhet të jetë i balancuar dhe i barabartë.
“Për momentin tavolina nuk është e drejtë, sepse në njërën anë është Kosova, e cila është nën sanksione, nën masa. Në anën tjetër, është Serbia e cila, përkundër akteve të agresionit ndaj Kosovës, përkundër faktit që nuk e ka politikën e jashtme të linjëzuar me BE-në, e shumë e shumë arsye, fatkeqësisht nuk ka ndonjë masë ndaj tyre”, është shprehur ajo.
Kosova ka aplikuar për t’u bërë pjesë e BE-së në dhjetor të 2022-tës. Që nga ajo kohë, aplikimi i saj ka mbetur në sirtarët e institucioneve të Bashkimit Evropian, pavarësisht se kush i ka drejtuar ato përgjatë këtyre tre vjetëve.
Osmani ka vlerësuar se Gjermania ka rol vendimtar që aplikacioni i Kosovës për anëtarësim në BE të procedohet në Komisionin Evropian (KE) ndërsa ka shprehur pajtim me qasjen e qeverisë së re gjermane se rruga drejt BE-së duhet të bazohet në merita.
“Nëse e krahasojmë Kosovën me shtet e tjera të Ballkanit Perëndimor, ne kemi plotësuar shumë më shumë kritere, shumë më shumë detyra të shtëpisë, kemi progres shumë më të madh edhe në sundimin e ligjit, edhe në reforma ekonomike, edhe në fushën e të drejtave të njeriut, edhe në shumë fusha të tjera... por megjithatë jemi vendi i vetëm që nuk e ka statusin e kandidatit. Pra, progresi nuk është reflektuar në veprime konkrete nga BE-ja”, ka thënë ajo.
I pyetur mbi arsyet e mosshqyrtimit të aplikacionit të Kosovës dhe se si do të veprohet në mënyrë që ky proces të shtyhet përpara, ministri gjerman ka përmendur dialogun dhe formimin e Asociacionit.
“Ne angazhohemi për atë që dialogu për normalizim në mes të Kosovës dhe Serbisë të çohet përpara me energji. Unë i kam theksuar disa pika në Beograd dhe këtu. Kjo temë ka qenë temë që e kemi diskutuar, që është më rëndësi që të ketë një pranim të detyrave nga ana e kryetarëve të zgjedhur të komunave në veri dhe çështja e zbatimit të themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe ne kemi folur për këtë dhe shpresoj që të përfundohet me sukses”, ka thënë Wadephul.
Çështja e anëtarësimit të Kosovës në BE është trajtuar si temë edhe në takimin që ministri gjerman e ka pasur në ambientet e Kuvendit me kryeministrin në detyrë. Sipas njoftimit të lëshuar nga Zyra e Kryeministrit, Kurti ka shprehur qëndrimin se Kosova meriton që ta marrë statusin e vendit kandidat dhe se “Komisioni Evropian duhet ta dorëzojë sa më parë pyetësorin për anëtarësim”.
Sipas njoftimit, Kurti ka përmendur edhe sulmin në Banjskë dhe rrezikun nga grupi i Milan Radoiçiqit.
“Kryeministri nënvizoi faktin se edhe më shumë se dy vjet pas sulmit terrorist në Banjskë, ku mbeti i vrarë një rreshter i Policisë së Kosovës, udhëheqësi i këtij grupi terrorist dhe paramilitar, Milan Radoiçiq, vazhdon të endet i lirë në Serbi dhe Beogradi zyrtar refuzon t’ia dorëzojë atë dhe grupin e tij Republikës së Kosovës, përkundër fakteve për përfshirjen e tij në sulm dhe aktakuzës së prokurorisë së Kosovës ndaj tij, ndërkohë që ai dhe grupi i tij vazhdojnë të paraqesin rrezik për sigurinë e vendit”, thuhet në njoftim.
Gjatë qëndrimit disaorësh në Prishtinë, ministri Wadephul është takuar edhe ushtarë të misionit të NATO-s në Kosovë – KFOR.
Para vizitës në Prishtinë, Wadephul ka qëndruar edhe në Beograd, ku është takuar me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, si dhe në Tiranë, Podgoricë e Sarajevë.
Turneun e tij në Ballkanin Perëndimor ministri i Jashtëm i Gjermanisë do ta përmbyllë me vizitën në Maqedoninë e Veriut.