Një ditë më parë përfaqësues të veteranëve të UÇK-së kërkuan nga presidentja Osmani që të mos e dekretojë Ligjin për Pagën Minimale, i cili nuk u garanton atyre pension në lartësinë e pagës së re. E, në Presidencë thanë se ligji do të analizohet sapo Kuvendi t’ua dërgojë. Ndërkaq juristët tregojnë rrethanën kur ligji mund t’i kthehet Kuvendit
Në Presidencë ende nuk ka shkuar Ligji për Pagën Minimale, i cili nuk ua garanton veteranëve të UÇK-së pensionin në lartësinë e pagës së re.
Veteranët kërkojnë që presidentja Vjosa Osmani të mos e dekretojë ligjin dhe t’ia kthejë Kuvendit.
Në institucionin më të lartë të shtetit thanë se ligji do të trajtohet ngjashëm sikur të tjerat që u shkojnë nga Kuvendi.
“Ligji është ende në Kuvendin e Kosovës dhe nuk ka ardhur në Presidencë. Kur të vjen, do të analizohet sikurse edhe ligjet e tjera”, ka thënë Bekim Kupina, këshilltar i presidentes.
Njohësi i çështjeve ligjore, Anton Nrecaj, numëron arsyet të cilat mund të ndikojnë tek presidentja që t’ia kthejë Ligjin Kuvendit.
“Nëse Zyra Ligjore e presidentes e konstaton që ai ligj mund të bie ndesh me kushtetutshmërinë dhe kornizën ligjore të zbatueshme në vend ose mund të bie në konflikt me ndonjë ligj tjetër natyrisht se atëherë kjo zyre përmes presidentes i njëjti ligj kthehet në Kuvend mbi bazën e rekomandimeve të cilat dalin nga presidenca. Presidentja sipas detyrës zyrtare mund ta dërgojë ligjin në Gjykatën Kushtetuese dhe të konstatohet se ai ligj a është në harmoni me kornizën ligjore, respektivisht me kushtetutën”, ka thënë Nrecaj.
Ai shton se edhe nëse ligji dekretohet nga deputetët, atij mund t’i kontestohet kushtetutshmëria në Gjykatën Kushtetuese.
“Deputetët e Kuvendit mund ta sfidojnë ligjin, në rast se opozita mendon që ligji bie ndesh me Kushtetutën mund ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese sikurse kanë bërë edhe më parë”, ka theksuar Nrecaj.
Ligji për Pagën Minimale u miratua javën që shkoi. Paga minimale është caktuar 264 euro.
Një numër i madh ligjesh janë rrëzuar në Kushtetuese deri tash, ndërkaq kanë qenë të pakta rastet kur ato i janë kthyer Kuvendit nga presidenti i shtetit. Por presidenti ka të drejtën e kthimit të një ligji në Kuvend vetëm një herë, dhe në rast se përmbajtja e njëjtë i vjen për dekretim, ai nuk mund të refuzohet më.