Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Presidenca e Bosnjës pret ndihmë nga Republika Srpska për heqjen e vizave për Kosovën

Denis Beqiroviq

Kryetari i Presidencës së Bosnje e Hercegovinës (BiH), Denis Beqiroviq, ka thënë të martën (sot) në Sarajevë se pret që përfaqësuesit e Republikës Srpska në institucionet shtetërore të ndihmojnë Bosnje e Hercegovinën për heqjen e vizave për Kosovën.

Beqiroviq ka komentuar vendimin e kryeministrit Albin Kurti, i cili në një fjalim të mbajtur më 14 tetor në samitin e Procesit të Berlinit ka njoftuar se nga 1 janari 2025, qytetarët e Bosnje e Hercegovinës do të mund të hyjnë në Kosovë me letërnjoftim, raporton “Evropa e Lirë” në gjuhën serbe”.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Pas kësaj lëvizjeje shtetërore të Kurtit, pres që edhe brenda Bosnjës, kur bëhet fjalë për përfaqësuesit në institucionet shtetërore që vijnë nga entiteti Republika Srpska, edhe ata të na ndihmojnë që të hedhim një hap adekuat dhe të zbatojmë plotësisht marrëveshjet që Bosnja nënshkroi në kuadër të Procesit të Berlinit”, ka thënë Beqiroviq pas takimit me presidentin shqiptar Bajram Begaj, i cili është në një vizitë zyrtare në Bosnje.

Në janar të këtij viti, Kosovës iu liberalizuan vizat për të udhëtuar në Bashkimin Evropian, por ende nuk mund të hyjnë pa vizë në Bosnjë, për shkak të kundërshtimit të Republika Srpskas.

Në konferencën për shtyp pas vizitës së presidentit shqiptar Bajram Begaj, Beqiroviq e quajti kryeministrin Kurti “mik të madh” dhe lëvizjen e tij “të pazakontë në rajon”.

Marrëveshja, e cila do t’u mundësonte edhe kosovarëve të shkojnë pa viza në Sarajevë, ende nuk është ratifikuar nga Parlamenti boshnjak.

Ratifikimi i marrëveshje është bllokuar nga përfaqësues të partisë së Milorad Dodikut.