Në hollin e Kuvendit të Kosovës, kanë lëvizur gjatë tërë kohës deputetë e përfaqësues diplomatikë të akredituar në Kosovë.
Më së shumti punë ka pasur stafi i ambasadës amerikane.
Në pritje që të nisë seanca, ambasadori amerikan, Greg Delawie, është angazhuar maksimalisht duke iu bërë thirrje të gjithë deputetëve që të votojnë pro demarkacionit.
“Jemi këtu për t’i nxitur të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës për ta votuar marrëveshjen për shënjimin e kufirit me Malin e Zi. Kjo marrëveshje është e drejtë, është e saktë. I nxis po ashtu të gjithë politikanët që të bëjnë kompromise për ta arritur votën Pro lidhur me këtë. Duhet gjithashtu ta mbajnë në mend cili është qëllimi i fundit me këtë marrëveshje, që ka të bëjë me lirinë e lëvizjes për qytetarët. Abstenimi apo vota kundër në thelb është votë kundër kësaj marrëveshjeje. I nxisim edhe njëherë deputetët që të punojnë për të arritur te vota pro marrëveshjes”, ka thënë Delawie.
Por, me kërkesën e Delawies nuk pajtohet Vetëvendosja.
Edhe
Thaçi e Haradinaj në SHBA, Delawie me mesazhe të forta në Prishtinë
Përpos që ka mbajtur qëndrimin kundër, kjo parti ka dërguar padi në Prokurori ndaj presidentit Hashim Thaçi për “tradhti kombëtare”.
Të ndarë në qëndrime janë edhe deputetët e pakicës serbe.
Ndryshe nga Lista Serbe, që përveç që nuk mori pjesë, përmes një njoftimi, tha se nuk e voton demarkacionin, Sllobodan Petroviq, nga SLS-ja, ishte pro ratifikimit.
“Njerëzit tanë janë të vetmit në këtë pjesë të Evropës që nuk mund të lëvizin lirshëm. Kjo është më tepër se një arsye e mirë për të votuar për këtë propozim. Sigurisht një arsye tjetër është që e gjithë bashkësia ndërkombëtare e ka bërë të ditur qartë qëndrimin e vet se kjo është në interes të përgjithshëm. Kjo nuk është koha për poenë të lirë politikë. Pres që përfaqësuesit e partive politike në Kuvend të marrin përgjegjësinë dhe të mundësojmë të gjithë ne të punojmë për zgjidhjen e çështjeve që janë të rëndësishme për vendin”, ka thënë Petroviq.
Ndërsa, deputeti nga AAK-ja, Rasim Selmanaj, kërcënoi me votë kundër nëse ndërron propozimi i kryeministrit.
Edhe
Delawie u bën thirrje deputetëve ta votojnë sot demarkacionin
Kurse, deputeti i pavarur, Labinot Tahiri, tha se do të heqë dorë nga pasaporta diplomatike nëse dështon votimi i demarkacionit.
Nga ana tjetër, në takim me partitë ka qenë edhe Natalya Apostolova, por nuk ka pranuar të flasë, siç nuk ka pranuar të flasë as kryeministri, shumë orë pas qëndrimit brenda kuvendit.