Për skandalet diplomatike të politikës së jashtme do të mblidhen në sallë plenare deputetët, por aty nuk do të jenë as kryeministri Ramush Haradinaj e as kryediplomati kosovar Behgjet Pacolli.
Vetë Kryeministri ka thënë se ai ka kërkuar nga partitë opozitare që këtë seancë ta shtyjnë pas datës 20 nëntor, meqë gjithë angazhimin e kanë rreth anëtarësimit të Kosovës në Interpol.
Por, partitë opozitare, LDK e Vetëvendosje, që edhe e kanë thirrur këtë seancë të jashtëzakonshme, thonë se Kryeministri e Ministri i Punëve të Jashtme e kanë obligim kushtetues të jenë para deputetëve.
Avdullah Hoti ka thënë se për këtë seancë zyrtarët institucionalë kanë qenë të njoftuar prej kohësh.
Por, vetë ministri Pacolli thotë se agjendën nuk mund ta ndryshojë dhe ai do të udhëtojë për në Dubai.
Ndërkohë, në seancën e së premtes do të marrë pjesë edhe PDK-ja.
Opozitarët kanë paralajmëruar se në këtë seancë do të diskutojnë edhe për takimin e Presidentit Thaçi me homologun e tij rus Vladimir Putin.