Pozita dhe opozita në komunën e Lipjanit sërish kanë akuzuar njëra-tjetrën lidhur me disa tenderë për dezinfektim në kohë të pandemisë.
Subjekti opozitar Partia Demokratike e Kosovës, nëpërmjet një konference për media të enjten, fillimisht ka kritikuar komunën me arsyetim se ka lidhur kontratë me një kompani për vendosjen e dy kabinave dezinfektuese, ndërkohë është vendosur vetëm një.
Pastaj, ky subjekt ka dhënë kritika edhe për rritje të sipërfaqeve të objekteve publike derisa dezinfektimi i tyre është bërë edhe në vitin e kaluar. Në anën tjetër, komuna e Lipjanit ka sqaruar se opozita po dezinformon vetëm për apetite politike, andaj ka kërkuar të bashkohen në luftë kundër COVID 19.
Ramiz Kozhani, sekretar organizativ i degës se PDK-së në Lipjan, nëpërmjet konferencës ka thënë se ekzekutivi i komunës po e keqpërdor paranë publike në kohë të pandemisë, andaj ka kërkuar nga prokuroria t’i hetojë disa tenderë për dezinfektues.
“Keq qeverisja e kësaj komune kalon në një shkallë edhe më të lartë derisa në krahasim me vitin e kaluar janë rritur sipërfaqet për dezinfektim të hapësirave të brendshme publike. Prandaj, në vitin e kaluar, Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare ka pasur gjithsej 900 metra katrorë sipërfaqe, ndërkaq sivjet për të njëjtin shërbim ky institucion sipas kontratës figuron se i ka 4000 metra katrorë”, ka thënë nëpërmjet konferencës Ramiz Kozhani, sekretar organizativ i degës se PDK-së në Lipjan.
Sipas tij, në krahasim me vitin e kaluar ky keqmenaxhim për dezinfektim të hapësirave publike kalon në një shkallë edhe më të keqe pasi që sipas tij më 2019 është kontraktuar kompania me 0.28 cent, ndërkaq më 2020-n për shërbimet e njëjta është kontraktuar kompania me 48 cent.
“Prandaj, ky çmim është rritur në kohë të pandemisë derisa të gjitha institucionet po kërkojnë që mos të rriten çmimet, andaj me këtë kontratë komuna ka dëmtuar buxhetin e taksapaguesve në shumë prej 15030.00 euro”, ka thënë Kozhani.
Ai ka kërkuar të vendoset edhe stacioni i dytë dezinfektues sipas kontratës derisa çmimi për një të tillë ka kushtuar një mijë e 980 euro.
Nga ana tjetër, Diamant Bytyqi, zëdhënës i Komunës së Lipjanit, ka sqaruar se një kabinë dezinfektuese është vendosur te QKMF-ja, ndërkaq tjetra kabinë është planifikuar të vendoset nëse rritet numri i të infektuarve ose përkeqësohet situata me COVID-19.
“Komuna do të paguajë vetëm për kabinën e vendosur, kjo specifikohet shumë mirë edhe në kontratë. Ndërkaq, Komuna në bazë të kërkesës të specifikuar në kontratë ka kryer tri shërbime DDD (Dezinfektim, Dezinsektim dhe Deratizim) me çmim 0.48 cent për m², që për secilin shërbim çmimi është 0.16 cent për m², ndërsa disa komuna të tjera kanë pasur të specifikuar në kontratë vetëm një shërbim si dezinfektim me çmim shumë më të lartë. Po ashtu disa nga Komunat e tjera që kanë pasur me kontratë të specifikuar të 3 shërbimet ngjashëm si komuna e jonë kanë çmim më të lartë se Komuna e Lipjanit”, ka thënë Bytyqi.
Sipas tij, sa i përket metrave katrorë në QKMF, është qesharake të thuhet nga opozita se vitin e kaluar ka pasur 900 m2 e këtë vit 4000 m2.
“Në kontratë janë të përfshira të gjitha hapësirat që gjenden në QKMF e që arrin 3000 m2. Është po i njëjti objekt, por vitin e kaluar është bërë dezinfektimi për vetëm një pjese të QKMF-se. Këtë vit është bërë DDD për komplet QKMF-në me të gjitha hapësirat përcjellëse andaj opozita duhet të lexoi drejt e mos të dezinformon për apetite personale politike por të bëhemi bashkë në luftën kundër COVID-19”, ka sqaruar Bytyqi.