Arbëri

PDK-ja në Lipjan i bën thirrje Prokurorisë t’i hetojë tenderët e Komunës për dezinfektues

Foto: Koha

Opozita në Komunën e Lipjanit ka akuzuar udhëheqjen komunale për disa tenderë për dezinfektim në kohë të pandemisë.

Partia Demokratike e Kosovës, dega në Lipjan, nëpërmjet një konference për media, të enjten, ka kritikuar Komunën se ka lidhur kontratë me një kompani për vendosjen e dy kabinave dezinfektuese, ndërsa që sipas saj është vendosur vetëm një. Ky subjekt ka përmendur edhe rritjen e sipërfaqeve të objekteve publike, shkruan KOHA.

Ramiz Kozhani, sekretar organizativ i degës se PDK-së në Lipjan, ka thënë se ekzekutivi i Komunës po e keqpërdor paranë publike në kohë të pandemisë, andaj ka kërkuar nga Prokuroria t’i hetojë tenderët për dezinfektues.

“Keqqeverisja e kësaj komune kalon në një shkallë edhe më të lartë derisa në krahasim me vitin e kaluar janë rritur sipërfaqet për dezinfektim të hapësirave të brendshme publike. Prandaj, në vitin e kaluar Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare ka pasur gjithsej 900 metra katrorë sipërfaqe, ndërkaq sivjet për të njëjtin shërbim ky institucion sipas kontratës figuron se i ka 4000 metra katrorë”, ka thënë Ramiz Kozhani.

Sipas tij, më 2019 është kontraktuar kompania me 0.28 cent, ndërkaq më 2020-n për shërbimet e njëjta është kontraktuar kompania me 48 cent.