Për t’u ofruar siguri qytetarëve natën e ndërrimit të motmoteve, policia ka shtuar prezencën e saj sidomos në sheshe e udhëkryqe. Drejtori i Policisë për Rajonin e Prishtinës, Basri Shabani tha se janë gati për fluksin që mund ta ketë kryeqyteti. Policia ka bërë apel për vigjilencë në parandalimin e përdorimit të parregullt të mjeteve piroteknike.
Policia e Kosovës është gati që në natën e fundit të këtij vitit të ofrojë siguri e të ndërhyjë aty ku është e nevojshme.
Drejtori i Policisë për rajonin e Prishtinës, Basri Shabani, ka thënë se do ta zbatojnë planin operativ për festat e fundvitit.
Ai tregon për masat e ndërmarra të sigurisë.
“Bazuar në analizën që ne kemi bërë dhe urdhrin operativ, ne kemi paraparë masa shtesë, kemi shtuar prezencën policore sidomos në shesh dhe aty ku do të ketë frekuentim më të madh të qytetarëve. Por, edhe në udhëkryqet dhe rrethet ku do të ketë automjete më tepër”, ka deklaruar Shabani.
Shabani ka ftuar qytetarët për kujdes të përdorimit të mjeteve piroteknike, në mënyrë që të ketë sa më pak lëndime në këtë natë.
“Njëkohësisht bëj apel dhe lus qytetarët të festojnë me zemër e jo me armë dhe të kenë kujdes gjatë përdorimit të fishekzjarrëve”, ka thënë tutje Shabani.
Në sheshet e kryeqytetit pos qytetarëve të shumtë që kishin dalë, pati edhe patrulla policore.
KOHA ka raportuar për përdorimin e mjeteve piroteknike jashtë afateve të parapara me vendimin e ministrisë së Punëve të Brendshme. E të dhënat nga dogana kanë treguar që në 2023 janë importuar më së shumti se në tre vjetët e fundit. Përdorimi i tyre është i lejuar deri më 2 janar.