Diskutimet për keqpërdorime dhe korrupsion kanë çuar në përplasje personale të deputetëve të pushtetit dhe atyre të opozitës në Kuvendin e Kosovës. Derisa, deputeti i VV-së, Armend Muja,ka thënë se KEK-u në kohën e Nagip Krasniqit ka “filluar të lulëzojë”, deputeti i PDK-së, Ferat Shala, e ka akuzuar Mujën për korrupsion në procesin e mëhershëm të akreditimeve.
Shala ka thënë se deputeti Bekim Haxhiu e ka nxjerrë Mujën prej burgut, duke përmendur se në burg ia kishte dërguar një picë.
“Me këtë nuk replikoj, pasi kam nevojë të replikojë me kolegun tim Bekim Haxhiu, i cili kur është arrestuar ia ka dërguar një picë në stacionin policor pasha besën, duke lypur pare për të akredituar universitetet publike. Prandaj, kam replikë me Bekimin që ta ka pru picën në stacion të policisë dhe të ka nxjerrë prej burgut për korrupsion”, është shprehur ai.
Haxhiu më pas ka folur për rastin e përmendur, duke thënë se me kërkesë të familjarëve të Mujës, i kishte dërguar një picë këtij të fundit sa ka qenë në burg i dyshuar për rastin e akreditimit në arsimin e lartë. Por, mohoi se pati ndikim në procesin e lirimit të tij.
“Është e vërtet, kur zotëri Muja ka qenë i arrestuar për korrupsion në rastin e akreditimit, me kërkesën e familjarëve të tij ia kam dërguar një picë në stacion policor, si humanist që jam. Por asnjë efekt dhe asnjë ndikim nuk e kam pasur në procesin e lirimit të tij. As nuk e di kur u dal prej burgu dhe as si ka përfunduar rasti i tij”, tha ai.
E, kësaj i është përgjigjur Muja. Ai ka thënë se me Haxhiun e Shalën nuk është takuar asnjëherë më herët, përpos në Kuvend.
“Që ta kupton popullsia unë nuk e njoh Ferat Shalën dhe as Bekim Haxhiun, përveç këtu në Kuvend. E dyta, po unë jam akuzuar, çështje kjo që nuk mund ta kontrollojmë dot, ne kontrollojmë veprimet tona, të dokumentojmë se performanca jonë ka qenë e ndershme. Çfarë mund të bëjmë është t’ia lëmë procesit të drejtësisë, në 12 pika procesi i drejtësisë ka pasur shpallje të pafajshëm”, tha ai.
Haxhiu e ka quajtur “bukëpërmbysë” Mujën, duke këmbëngulur se e vërteta ka qenë ashtu siç ka deklaruar paraprakisht.
“Zotëri Muja as më shumë as më pak, ajo çka ka qenë e kam thënë. Mundeni ju me qenë bukëpërmbysë ajo është çështje jotja”, tha ai.
Diskutimit për “picën” i janë bashkangjitur edhe dy deputetë të tjera.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, ka akuzuar Grupin Parlamentar të partisë së tij se nuk po e lejojnë të marrë fjalën në Kuvend.
“Duhet të jetë hera e fundit që tentohet të ngulfatet demokracia në Kuvendin e Kosovës. Nuk duhet si deputet i barabartë që të protestoj sa herë që dua të them diçka në këtë vend, pavarësisht prej qëndrimit që kam. Kështu që, këtë parlament e udhëheq Glauk Konjufca dhe jo Dejona Mihali. Nuk përcaktohet lista e deputetëve nga jashtë parlamentit të Kosovës”, tha ai.
Atij i reagoi bashkëpartiaku Sali Zyba, duke e pyetur se mos e ka provuar picën e PDK-së.
“Ne kemi mundur t’i ndajmë rrugët, por rrugën nuk mundemi me ia ndalu njëri-tjetrit. Prandaj në këtë moment sa po flet zotëri Abazi, ani pse disa çështje mundet m’i pas të drejtë, këtu një heshtje e plotë e subjekteve opozitare. Referuar deklarimit të Ferat Shalës se Kamishi me pica mundet me dërgu apo liru prej burgu dikë, unë e kam një pyetje mos ke provu me kërku picën e PDK-së”, tha ai.
Ndërkaq, Abazi iu përgjigj se: “Kur të vjen puna me ngrënë pica të PDK-së, shihemi tjetër kund”.
“Por, po e them me shumë qartësi zotëri Zyba, mos luaj me fjalë të kota... fakti që zotëri Muja ka qenë në burg dhe fakti që zonja Kusari ka qenë pjesë e ministrive që kanë privatizu distribucionin e Kosovës janë fakte shumë kokëfortë dhe nuk mundesh me i fshi, as me picë dhe as asgjë”, u shpreh Abazi.