Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Përplasje verbale mes deputetëve opozitarë e ministrave

Përplasje verbale mes deputetëve opozitarë e ministrave

Për të dytën seancë radhazi, deputetët refuzuan të votojnë për caktimin e kolegëve të tyre nga Lista Serbe në komisionet parlamentare. Seanca e së enjtes u karakterizua me diskutime të shumta mes deputetëve opozitarë e ministrave

Në arenë të përplasjeve verbale mes ligjvënësve opozitarë dhe ministrave është kthyer të enjten salla e seancave të Kuvendit.

Seanca pati pesë pika në rend dite, e diskutimet më të mëdha u bënë gjatë kohës për deklarime jashtë rendit të ditës e asaj për pyetjet parlamentare.

Deputetja e Aleancës, Teuta Haxhiu, reagoi ndaj deklarimeve të ish-ministrit të Bujqësisë, Faton Peci, dhe debatit të tij me bashkëpartiakun e saj, Daut Haradinaj.

Ajo tha se kryetari i tashëm i Mitrovicës së Jugut mbahet mend si ish-ministër për “shumë skandale” krahasuar me Haradinajn që njihet për kontributin e tij në luftë.

“Mbahet mend që ka ushqyer fëmijët në çerdhe e në spitale me mish të skaduar të importuar nga Brazili, mbahet mend edhe për koordinimin me Fitore Pacollin për të ndarë 100 mijë euro për vëlla e dajë e të tjera, e shumë e shumë skandale të tjera”, ka thënë Haxhiu.

Pas përfundimit të kohës së paraparë, deputetes Haxhiu nuk iu lejua ta përmbyllë fjalën, e ajo refuzoi që të largohej nga foltorja.

Në mbrojtje ish-ministrit Peci, i doli bashkëpartiakja e tij, ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla.

“Ministër Faton Peci, ish-ministri i Bujqësisë, kryetari i sotëm i komunës së Mitrovicës, do të mbahet mend për transformimin rrënjësor të të gjithë zhvillimit të bujqësisë në vendin tonë, për luftimin e pakompromis të krimit dhe korrupsionit dhe do të mbahet mend si një prej ministrave më të guximshëm të qeverisë Kurti 2”, ka thënë Gërvalla.

Mënjëherë reagoi Haxhiu, që mori fjalën.

“Qysh bre ministre e more mundin me dalë e me mbrojt një bashkëkryetar të partisë me tre anëtarë. Për skandalet e ministrit Peci e dinë krejt vendi. Unë për veti me kanë në vend tëndin nuk kisha lëvizur fare...”, u shpreh ajo.

Në këtë, u kundërpërgjigj Gërvalla.

“Po, është shumë e vërtetë. Ju asnjëherë nuk mund të jeni në vendin tim, se po të ishit në vendin tim, ju nuk do të ishit ulur aty ku jeni ulur dhe nuk do të ishit rrethuar me njerëz me të cilit jeni rrethuar”, tha Gërvalla.

Krahas kësaj polemike, me akuza për mosmbulimin e shpenzimeve për protezat e invalidëve të luftës, u përball ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.

Ai tha se pas vitit 2024, asnjë invalid i luftës, civil apo ushtar, nuk ka mbetur e nuk do të mbetet pa u subvencionuar.

“Në çdo rast që evidentohet, natyrisht ju garantoj deputete që do të merren masa ndaj atyre që i kanë lënë të presin, që i kanë humbur gjymtyrët në luftën tonë për liri, dhe pastaj do të jeni dëshmitare që menjëherë do të merren masa nëse ka ndodhë, sepse informatat që kam është se nuk ka ndodhur, menjëherë do të jepet e gjithë shuma”, tha ai.

Në mungesë të anëtarëve të kabinetit qeveritar, një pjesë e pyetjeve parlamentare nga deputetët mbetën pa përgjigje.

“Kërkoj nga ministri Hekuran Murati dhe gjithë kabinetit qeveritar që të jenë të përgjegjshëm ndaj këtij institucioni, ndaj parlamentit të Kosovës. Ata e kanë obligim ligjor me ardhë edhe të përgjigjen në pyetjet e deputetëve”, deklaroi Ganimete Musliu, deputete nga radhët e PDK-së.

Seanca u përmbyll me formimin e komisionit ad-hoc për përzgjedhjen e anëtarëve nga komunitete joshumicë për bordin e RTK-së. Ndërkaq, për të dytën seancë radhazi, deputetët refuzuan të marrin pjesë në votimin për caktimin e anëtarëve të Listës Serbe në komisionet parlamentare.