Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Pezullimi nga puna i sindikalistëve të Trepçës, reagon Sindikata e punëtorëve të KEK-ut

Sindikata e re e KEK-ut ka thënë se kundërshton fuqishëm vendimin e menaxhmentit të Trepçës për t’i larguar nga puna përkohësisht pesë anëtarët e kryesisë së Sindikatës së Punëtorëve të Trepçës.

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Trepçës, Ibrahim Januzi dhe anëtarëat Fevzi Ademin, Destan Kerleshin, Gani Osmani dhe Eset Meha janë pezulluar deri në një vendim të Komisionit Disiplinor. Ata janë akuzuar për keqpërdorim të grevës.

“Sindikata e Re e Korporata Energjetike e Kosovës shprehë fuqishëm kundërshtimin e saj ndaj largimit të kryetarit dhe anëtarëve minatorë grevistë nga puna. Ky veprim i papranueshëm jo vetëm është antiligjor dhe antikushtetues, por gjithashtu cenon rendë demokracinë dhe lirinë e shprehjes së vullnetit për të drejtat e punëtorëve. Në një kohë kur punëtorët po luftojnë për të drejtat e tyre, vendimi i Menaxhmentit të Trepçës të largojë grevistët nga puna është i papranueshëm. Ligji dhe kushtetuta e Republikës së Kosovës garantojnë të drejtën e punëtorëve për të mbrojtur interesat e tyre dhe për të zhvilluar greva. Sindikata e Re KEK deklaron se ky veprim është një shkelje flagrante e të drejtave të punëtorëve dhe është në kundërshtim me vlerat demokratike të vendit tonë. Ne kërkojmë që urgjentisht Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Bordi i Trepçës të marrin masa të menjëhershme ndaj këtij menaxhmenti dështues dhe destabilizues”, thuhet në reagimin e Sindikatës së KEK-ut.

Sindikata ka kërkuar që të suspenduarit të kthehen në punë menjëherë dhe t’u respektohen të drejtat e tyre kushtetuese.

“Po ashtu, ne kërkojmë një hetim të pavarur për këtë ngjarje dhe ndëshkimin e atyre që janë përgjegjës për këtë vendim të padrejtë”, thuhet në reagim.