Petar Petkoviq, drejtor i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, ka thënë se në takim me emisarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, ka deklaruar që tema kyçe në dialog duhet të jetë normalizimi i raporteve dhe formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ai ka thënë se për Serbinë është “e papranueshme” që kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, të përpiqet ta përfshijë temën për Preshevën dhe Bujanocin në proces.
“Dje, mund të dëgjonim që Bislimi ka hapur disa çështje të pretenduara për Preshevën dhe Bujanocin. Këto nuk janë tema të dialogut. E dimë se tema e dialogut është – çështja e Kosovës, pozicioni i popullit serb, formimi i Asociacionit dhe se çfarë mund të bëjmë për të arritur paqe e stabilitet në Kosovë nëpërmjet zgjidhjeve të kompromisit, që janë të nevojshme për jetesën e serbëve dhe të shqiptarëve”, ka thënë ai në një deklaratë për media pas takimit me Sorensenin në Bruksel të martën.
Petkoviq ka thënë se ka njoftuar Sorensenin “për gjithçka” që ka ndodhur në Kosovë.
E, Sorensen në një njoftim më vonë të martën ka thënë se diskutuan një numër çështjesh rreth normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën.
“Vazhduam takimet bilaterale sot me kryenegociatorin serb në përgatitje të një takimi trilateral”, shkroi ai në X.
Një ditë më parë, në Bruksel takim me Sorensenin pati kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi. Ai u shpreh se ishte planifikuar një takim trepalësh, por se dështoi për shkak të problemeve në udhëtim të palës serbe.