LAJMET E MBRËMJES

Bislimi bisedon me emisarin Sorensen, dështon të realizohet takimi trepalësh

Besnik Bislimi

Në një deklaratë për KOHËN, Bislimi ka thënë se takimi trepalësh ka dështuar të realizohet pasi pala serbe pati probleme gjatë udhëtimit për në Bruksel. Bislimi ka thënë se në takim me Sorensenin në Bruksel ia ka shpalosur qasjen që Kosova do ta ketë në fazat e ardhshme të bisedimeve që do të zhvillohen në nivel të kryenegociatorëve apo edhe në takimet e larta që do të udhëhiqen nga shefja për Politikë dhe Siguri e BE-së, Kaja Kallas

Zëvendëskryeministri në detyrë i Kosovës, Besnik Bislimi, është takuar të hënën në Bruksel me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, por një takim trepalësh i planifikuar ku duhej të ishte edhe kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq, nuk është zhvilluar.

Në një deklaratë për KOHËN, Bislimi ka thënë se takimi trepalësh ka dështuar të realizohet pasi pala serbe pati probleme gjatë udhëtimit për në Bruksel.

“Ka qenë i paraparë edhe një takim trelateral, por nuk ka mundur të ndodhte për shkak se kanë ndodhur komplikime me ekipin e Serbisë, i cili nuk ka arritur në Bruksel për shkak të vonesave”, është shprehur ai.

Bislimi ka thënë se në këtë takim të parë me Sorensenin në Bruksel ia ka shpalosur qasjen që Kosova do ta ketë në fazat e ardhshme të bisedimeve që do të zhvillohen në nivel të kryenegociatorëve apo edhe në takimet e larta që do të udhëhiqen nga shefja për Politikë dhe Siguri e BE-së, Kaja Kallas.

Ka folur edhe për temat që janë diskutuar.

“Në takim bilateral ngritëm një sërë temash për të cilat mendojmë se është shumë me rëndësi që të kemi përgjigje nga Brukseli apo zgjidhje, p.sh. kemi rastin e menaxhimit të integruar të kufirit ku ka ngecje të mëdha nga ana e Serbisë, si në përmbushjen e obligimeve të tyre p.sh. në tri pikat kufitare që është dashur t’i ndërtonin ose në përgjigje ndaj propozimeve tona që në Bujanoc e Breznicë të hapen pika sezonale gjatë kohës kur ka udhëtarë që kthehen nga diaspora, por edhe problemet që kemi me njohjen e certifikatave. Diskutuam edhe për një proces shumë të rëndësishëm që e kemi – mbështetjen e shqiptarëve në Luginën e Preshevës përmes ndihmave për fermerët e vegjël. I ka bllokuar Serbia në llogaritë bankare të Këshillit Kombëtar Shqiptar, kërkuam sa më shpejt zhbllokimin e këtyre mjeteve, folëm edhe për fushatën dezinformuese që Serbia e ka nisur në shumë fronte me qëllim të dezinformimit të partnerëve ndërkombëtarë, por edhe mbajtjes lart të presioneve te qytetarët serbë në Kosovë dhe tema të tjera të ngjashme”, ka thënë Bislimi.

Në përpjekje për të ringjallur dialogun mes dy vendeve, Kallas ka qëndruar në Prishtinë dhe Beograd në maj të këtij viti, duke bërë thirrje për përmirësim të raporteve sepse, sipas saj, vetëm kështu mund të ketë të ardhme evropiane për të dyja vendet.

Dy vendet dialogojnë në Bruksel për normalizim të marrëdhënieve prej vitit 2011 dhe me ndërmjetësim të BE-së i kanë nënshkruar një mori marrëveshjesh, por jo të gjitha janë zbatuar.